Biserko: Prokuroria serbe po manipulon
Albeu.com
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko ka reaguar ndaj supozimeve për rrëmbimin, keqtrajtimin, nxjerrjen e organeve dhe vrasjen e serbëve dhe joshqiptarëve në kohën e luftës së Kosovë.Në një prononcim për radion gjermane Deutsche Welle, Biserko i cilëson akuzat si të papërgjegjshme dhe që mund të përkeqësojnë raportet. Biserko ka reaguar edhe ndaj Carla del Pontes, e cila bëri publike këto akuza, pa paraqitur asnjë provë. "Mendoj se Carla del Ponte i ka bërë publike këto supozime në mënyrë shumë të papërgjegjshme, pa paraqitur kurrfarë dëshmish. Në një atmosferë të ndezur siç kemi ne në rajon, këto pohime vetëm sa mund të përkeqësojnë raportet", tha Biserko. Ajo vazhdon më tej duke kritikuar prokurorinë serbe për fushatën që ka nisur për informimin e opinionit mbi hetimet, një veprim i cili ka një qëllim tjetër dhe jo sqarimin e fatit të njerëzve të zhdukur. "Prokuroria serbe ka nisur një fushatë ku çdo ditë informon opinionin për hetimet që po kryhen, gjë që është në kundërshtim me parimet e punës së prokurorisë. Kjo fushatë është e keqe, sepse nëse ekzistojnë dëshmi duhet të fillojë edhe procesi. Mënyra e prezantimit të këtyre të dhënave ka një qëllim tjetër dhe jo sqarimin e fatit të njerëzve të zhdukur, që për familjet e tyre është një tragjedi e madhe", u shpreh ajo. Më tej Biserko tha se qëllimi i prokurorisë serbe është nxitja e humbjes së durimit të shqiptarëve, sepse këto gjëra nuk sillen aspak në kontekstin e duhur. Në Serbi, Kosova prezantohet vetëm si shkas për fillimin e ndërhyrjes ushtarake, por nuk shpjegohen shkaqet pse erdhi deri tek ndërhyrja. Shërbimi botëror i BBC-së dhe Rrjetit Ballkanik për gazetarinë hulumtuese botoi shkrime sipas të cilave Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka shkelur të drejtat e civilëve në Kosovë, ka keqtrajtuar dhe në disa raste edhe ka vrarë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme. Zyrtarët e Prishtinës i mohojnë këto akuza, ndërsa EULEX shprehet se do të nisë verifikimet e duhura.
Shtuar më 11/04/2009, ora 20:27
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori