Biri ekscentrik i Gadafit prish marrëdhëniet Zvicër-Libi
Albeu.com
Kur policia arrestoi birin e Muamar Gadafit në Gjenevë, diktatori libian kërcënoi menjëherë se do ta ndëshkonte Zvicrën dhe do ta bënte vendin evropian t‘ia paguante rëndë.Pak pas orës shtatë të mëngjesit të 17 korrikut, Aisha Gadafi, vajza e parapëlqyer e liderit revolucionar libian, e njohur në atdheun e saj me nofkën "Klaudia Shifer e Libisë", ia behu me nervozizëm në hollin me ajër të kondicionuar të hotelit tepër ekskluziv, "President Wilson" të Gjenevës, me flokët e saj të verdhë të mbështjellë me një shall. Sytë i lëshonin shkëndija nga zemërimi. Shoqërohej nga një grup burrash të veshur me kostume ngjyrë të zezë.

I vëllai, Hanibali, sapo qe liruar nga qelia ku qëndronte prej dy ditësh, nën garancinë e shifrës prej 200 mijë frangash zvicerane (124 mijë euro). Sipas policisë së këtij vendi, biri i diktatorit, bashkë me të shoqen, kishin abuzuar fizikisht me dy pjesëtarë të stafit të shërbyesve dhe i kishin mbajtur brenda ambientit të shtëpisë kundër vullnetit të të dyve. Nuk qe hera e parë që Hanibali, "delja e zezë" ndër bijtë dhe bijat e Gadafit, ka pasur peripeci me forcat e rendit, por ishte hera e parë që qe detyruar të përballej me një qeli burgu.

Teksa deklaronte për shtypin, Aisha u lëshua në një lumë fjalësh plot zemërim në arabisht, të ndërprera vetëm nga ndërhyrjet e përkthyesit. "Arrestimi, tha ajo, është krejt i paligjshëm, racist dhe antiarab", sidomos duke iu referuar faktit se i akuzuari është bir i Muamar Gadafit, njeriut që mposhti kolonializmin. Konferencën për shtyp e përfundoi me fjalët: "Një sy për një sy, dhëmbë për dhëmbë. Kushdo që vendos të hapë mosmarrëveshje të tilla, e ka shumë gabim".

Pas këtyre fjalëve, thuajse rendi jashtë dhe hipi në një prej benzave të shumtë të shpurës që e shoqëronte. Aisha, Hanibali dhe gjithë enturazhi lanë më vonë Zvicrën me një avion privat. Ishte veç largimi teatral nga skena dhe aspak fundi i gjithë historisë. Në fakt, qe e kundërta. Kjo pjesë qe vetëm fillimi.

Menjëherë mbi marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Libisë u krijua një shtresë e trashë dhe e padepërtueshme akulli. Gadafi, diktatori 66-vjeçar i Libisë, i cili është distancuar nga terrorizmi gjatë këtyre viteve të fundit, në përpjekje për ta portretizuar veten si shtetar me përmasa të rëndësishme, ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend që të birin t‘ia trajtojnë kështu. Ka bërë të qartë se pret që Zvicra t‘i kërkojë falje dhe deri sa t‘i vijë ndjesa e saj, ai po planifikon masat e veta ndëshkuese.

Dy ditë pasi Hanibali u largua nga Zvicra, dërgoi njerëz të arrestonin dy qytetarë zviceranë në truallin libian, një prej tyre drejtor i zyrës së Libisë të kompanisë "ABB" (operon në industrinë e teknologjisë së lartë). Sipas zyrtarëve të lartë libianë, dy burrat kanë shkelur ligjet e emigracionit dhe kështu do të trajtoheshin "si gjithë emigrantët e tjerë ilegalë".

U vendosën në një burg të Libisë, bashkë me shumë të dënuar të tjerë, që, sipas Departamentit zviceran të Punëve të Jashtme, është "në gjendje të mjerueshme, me vapë të papërballueshme dhe pa asnjë lloj kushti higjienik". Disa diplomatë udhëtuan në Libi javës që shkoi, në përpjekje për të liruar dy të burgosurit, por pa sukses.

Të zbutësh zemërimin e Gadafit

Njëherësh Libia ka tërhequr ambasadorin e saj nga Berna, ka ndërprerë dhënien e vizave për qytetarët zviceranë, si dhe ka urdhëruar mbylljen e degëve në Libi të kompanive zvicerane, si "ABB" apo "Nestle". Një lëvizje e tillë dëmton më shumë se këdo kompaninë personale të Gadafit, "Tamoil", e cila zotëron një rafineri prej rreth 50 pikash furnizimi me karburant në Zvicër. Por lideri revolucionar është aq i zemëruar nga vendimi i arrestimit të të birit dhe bashkëshortes së këtij të fundit, sa as që do t‘ia dijë për konsekuencat që do i shkaktojë, qoftë edhe atij vetë, kjo betejë e hapur me shtetin zviceran.

Megjithatë, duket se tensionet janë ulur disi gjatë kësaj jave, të pasuara nga bisedime dypalëshe gjithsesi mjaft tw acaruara. Që të dy të burgosurit zviceranë u liruan kundrejt garancisë të martën, por u urdhërua që të mos largoheshin nga vendi. Të mërkurën, "Swiss Oil Association" bëri me dije se ishte rivendosur furnizimi me naftë nga Libia. Nuk dihet ende me siguri sa ia kanë dalë diplomatët zviceranë të zbusin mërinë e Gadafit.

Gadafi e mban nën kontroll me "dorë të hekurt" vendin e vet që prej 39 vjetësh. Gjatë viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, Gadafi u vu nën shënjestrën e diplomacisë dhe opinionit botëror për mbështetjen e hapur ndaj terrorizmit ndërkombëtar. U lidh me incidente si bombardimi i lokalit të natës "La Belle" në vitin 1986, si dhe rrëzimin e një avioni në Skoci, në vitin 1988. Por, gjatë viteve të fundit është përpjekur shumë për rehabilitimin e imazhit në sytë e botës, gjë që edhe i ka dhënë fryte, duke qenë se evropianët dhe amerikanët i kanë hequr sanksionet kundër Libisë.

Pak më shumë se një vit më parë arriti të hiqte edhe pengesat e fundit në rrugën drejt rehabilitimit në sytë e komunitetit ndërkombëtar, në çastin që urdhëroi lirimin e pesë infermiereve bullgare dhe të një mjeku palestinez. Që të gjashtë gjendeshin nën akuzën e infektimit të qëllimshëm me virusin HIV të disa pacientëve libianë në një spital të këtij vendi dhe u mbajtën në burg për tetë vjet, ku edhe iu nënshtruan torturave të vazhdueshme.

Por tani, duke parë se në lojë është nderi i familjes së tij, diktatori është kthyer në Gadafin e dikurshëm, i paparashikueshëm dhe gjithë mllef. Ai e di mirë që i biri, Hanibali, është njeri tepër zullumqar. Por nga ana tjetër duket se është i bindur që i vetmi njeri i cili mund ta vërë në vijë të drejtë është pikërisht ai vetë dhe askush tjetër.

Si i ati, për sa u përket huqeve

Zyrtarisht Gadafi ka tetë fëmijë, megjithëse ka spekulime se mund të jenë më tepër. Kur vjen fjala tek ekscentrizmi, të gjithë fëmijët duket sikur kanë marrë nga ai.

Biri i madh i Gadafit, Muhamedi 38-vjeçar, u mbajt shumë gjatë larg syve të publikut, pasi qe fryt i martesës së parë të diktatorit. Sot është president i Komitetit Olimpik Libian dhe kontrollon industrinë e telekomunikacioneve në vend.

I biri i dytë, Saif Al Islami, 36-vjeçar, konsiderohet bir model dhe si kandidati më i mundshëm për ta pasuar në postin e kreut të vendit. Vëmendjen e publikut e tërhoqi veçanërisht dhjetë vjet më parë, kur mbërriti në Vjenë, ku do të niste studimet universitare, i shoqëruar nga katër truproja dhe dy tigra Bengali. Krijoi lidhje të ngushta miqësore me politikanin e djathtë austriak, Jorg Haider dhe në çastin kur Vjena refuzoi të zgjaste lejen e qëndrimit të të birit, Gadafi kërcënoi se do zbonte të gjithë austriakët nga Libia, megjithëse këtë kërcënim nuk e vuri kurrë në jetë.

Sot Saif Al Islam shihet si reformues properëndimor. Besohet se qëndron pikërisht ai pas masave për liberalizimin ekonomik, si dhe për më shumë liri demokratike. Projekti i tij i parapëlqyer është krijimi i një rezervati natyror prej 5 mijë kilometrash katrorë në verilindje të Libisë.

Biri i tretë i Gadafit, Sadiu 35-vjeçar, njihet më shumë për dështimet e shumta. Dikur shpresonte të bëhej futbollisti më i madh në Afrikë, madje i ati i vuri në dispozicion klubin e futbollit Al-Ahly të Tripolit. Më pas, Sadiu pagoi realizimin e një spoti televiziv, që e tregonte si futbollist të klubit Peruxhia të Italisë, ku luajti vetëm 15 minuta. Nga sporti hoqi dorë krejtësisht në çastin kur në gjak iu zbuluan substanca të ndaluara gjatë një testi kundër dopingjeve. Sot investon nëpër klubet evropiane të futbollit dhe në industrinë e prodhimit të filmave. Herë pas here hidhet edhe në lëvizjet kundërizraelite.

Mutasim Bilahu, 33-vjeçar, i katërti ndër vëllezërit, dikur u detyrua të merrte arratinë drejt Egjiptit, pas dyshimeve se qe i përfshirë në një grusht të dështuar shteti kundër të atit. Por më pas u mësua se babai e kishte falur dhe e kishte emëruar këshilltar për Mbrojtjen.

Pas tij, në radhë është Aisha, e vetmja bijë e Gadafit, njëherësh edhe e përzgjedhura. Me profesion është avokate dhe qe pjesë e skuadrës së juristëve që mbrojtën Sadam Huseinin gjatë gjykimit. I ati nuk dinte ku të futej nga gëzimi në çastin kur e bija mbajti një fjalim përpara disa vitesh në Londër mbi IRA-n, organizatën terroriste irlandeze.

Dihen më pak gjëra mbi dy fëmijët më të vegjël të diktatorit, Saif Al Arabin dhe Khamisin, por Hanibali, i cili edhe ndezi krizën diplomatike me Zvicrën, ka qenë për Gadafin prej vitesh fëmijë tepër problematik.

Nisi të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve që në shkollë, për shkak të problemeve me alkoolin, gjë që e kishte bërë protagonist edhe në zënka të shumta. Në shtator të vitit 2004 u ndalua nga policia franceze, teksa e drejtonte makinën me 140 kilometra në orë përqark sheshit "Shamp Elize". Një vit më pas shkatërroi dhomën e hotelit ku qe vendosur dhe rrahu të dashurën shtatzënë, Alinën, e cila për shkak të traumave u dërgua urgjentisht në spital. I ati e ktheu me forcë në Libi dhe e detyroi të martohej me vajzën.

Çifti gjendej në Gjenevë që prej fillimit të korrikut, pasi Alina qe përsëri shtatzënë dhe donte që fëmija të lindte në Zvicër.

Qenë punonjësit e hotelit ata që vunë re të parët keqtrajtimin e dy shërbyesve, të cilët informuan menjëherë menaxherët e më pas policinë. Në dy rastet e para, diplomatët libianë ia dolën të bindnin autoritetet zvicerane të mos përziheshin me këtë problem, por herën e tretë policët u kthyen më të bindur dhe hynë me forcë nëpër dhomat e Hanibalit, duke marrë në mbrojtje shërbyesit.

Që të dy pjesëtarët e stafit të shërbimit, një grua tuniziane dhe një burrë maroken, u treguan autoriteteve zvicerane se qenë rrahur nga zotërinjtë me rripa e objekte të tjera. Lejuan edhe që shtypi zviceran t‘u fotografonte dhe publikonte dëmet fizike, duke u respektuar kërkesën për të mos i treguar me fytyra.

"Do të vijë dita që do të paguani për gjithçka më kanë bërë mua dhe të tjerëve", tha gruaja tuniziane gjatë një interviste në një radio zvicerane. "Nuk jam në gjendje të kuptoj përse njerëzit sillen kështu". Shërbyesi maroken trembej se mos Gadafi do paguante njerëz ta vrisnin dhe kishte frikë për jetën e vet. (Shqip)
Shtuar më 03/08/2008, ora 15:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori