Bien dy planet për hapjen e qeverisë amerikane
Në SHBA, dy plane, një i republikanëve dhe një tjetër i demokratëve për t'i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë dështuan në Senat të enjten, duke e lënë Presidentin Donald Trump dhe Kongresin pa një formulë të qartë zgjidhjeje.

Gjashtë senatorë republikanë votuan kundër planit të mbështetur nga Presidenti, mes tyre edhe ish kandidati për president Mitt Romney.

Senati në fillim hodhi poshtë planin republikan që parashikonte financimin e operacioneve qeveritare deri në shtator së bashku me 5.7 miliardë dollarë të kërkuara nga Presidenti Trump për ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën. Nga 60 votat e nevojshme, plani republikan mori vetëm 51.

Pak minuta më vonë, senatorët votuan 52 me 44 për një alternativë të demokratëve që kërkonte rihapjen e agjencive të mbyllura pjesërisht deri më 8 shkurt, por pa vënë dispozicion të Presidentit fonde për murin kufitar. Plani synonte t’u jepte kohëve palëve të ndërmerrnin negociata për një marrëveshje.

Mbyllja e tanishme e qeverisë ka hyrë në muajin e dytë dhe është më e gjata në historinë amerikane. Rreth 800 mijë punonjës federalë nuk do të marrin pagë të premten, pasi Presidenti dhe Kongresi nuk kanë arritur dot marrëveshje për një plan buxhetor. Është hera e dytë që ata nuk paguhen.

Disa ligjvënës thanë se dështimi i projektligjeve në Senat mund të shërbejë si nxitje për palët që të fillojnë bisedime serioze për të gjetur zgjidhje.

Deri tani, secila palë vazhdon të paraqesë kërkesa të papranueshme për tjetrën, gjë që ka shkaktuar bllokimin e negociatave qysh në fillim.

Presidenti Trump refuzon të rihapë qeverinë nëse Kongresi nuk miraton fonde për murin kufitar, ndërsa demokratët e Kongresit nuk pranojnë të hyjnë në negociata me Presidentin nëse ai nuk rihap qeverinë.


Shtuar më 25/01/2019, ora 09:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori