“U shita nga i dashuri im dhe shoku i tij”, ish-viktima e trafikimit: Isha një pronë

E ftuar sot tek “Ka Një Mesazh Për Ty” ishte Valbona”. Historia e Valbonës nis 26 vite më parë, në Elbasan, kur në vitin e fundit të gjimnazit u njoh me një djalë.

E rritur me dashuri, e lumtur dhe në hapat e parë të një lidhjeje, ajo ndihej plot shpresa për të ardhmen deri në ditën kur ndryshoi gjithçka dhe jeta e saj do të kthehej përmbys brenda një taksie.

Valbona përfundon në Itali, në një shtëpi në Torino ku nuk kishte askënd që njihte, as të fejuarin, as shokun e tij dhe as njeriun që e mbajti të burgosur në Vlorë.

Vetëm 18 vjeçe, ajo kuptoi se kishte rënë viktimë e trafikimit. Pengu i saj më i madh, ishte nëna që kishte lënë pas në Elbasan, e cila e kërkonte ngado, po ajo vetë kishte humbur dëshirën për të jetuar. Tashmë ishte pronë e një tutori, në një shtëpi në Itali ku ushtrohej prostitucion.

Valbona: Kur shkuam në Torino më çuan në një shtëpi të disa djemve që punonin, por kishin edhe vajza që jetonin aty bashkë me ta. Unë aty pata një shok të jashtëzakonshëm sepse këto vajza jo vetëm që bënin atë punë, por flisnin dhe shumë keq. Në ato momente jeta ime nuk kishte më kuptim. Isha një njeri që jetoja kot, më dukej vetja e tepërt në botë, kisha një peng të madh që nuk flisja me mamin, nuk e kisha lajmëruar për asgjë.

Ardit Gjebrea: Kishe mundësi dhe nuk e bëre?

Valbona: Nuk kisha mundësi. Asnjë.

Ardit Gjebrea: Kur e kuptove që ishe viktimë e trafikimit, cili ishte momenti?

Valbona: E kuptova kur fola shumë qartë me këtë djalin.

Ardit Gjebrea: Që në Vlorë?

Valbona: Jo, në Torino.

Ardit Gjebrea: Kur shkove te ajo shtëpia që ishin djemtë, vajzat, kuptove se çfarë ndodhi?

Valbona: Aty e kuptova më së miri sepse ishte e pamundur mos ta kuptoja. E pyes, i them “tani duhet të di të vërtetën se është e kotë të ma mbash të fshehur” dhe më tregon që unë isha e blerë nga ai dhe këta dy djem, i dashuri im dhe shoku i tij më kishin shitur te ai djalë dhe unë i përkisja vetëm atij, isha pronë e tij nga momenti që ai kishte paguar lekët për mua.

Ardit Gjebrea: Pra ishte tutori yt?

Valbona: Ishte tutori im dhe ishte gjithçka për mua.

Ardit Gjebrea: Ti ishe skllavja e tij? Çdo gjë që thoshte ai ti duhej ta bëje?

Valbona: Po, ishte urdhër për mua./tvklan.al