“Sa gripëra kemi kaluar ne”, deklarata qesharake e Dukës bën bujë edhe në Greqi (FOTO LAJM)

“Nuk ka pse të jetë panik kaq i madh, nuk do të isha për masa kaq drastike për ndërprerjen e aktiviteteve. Nuk ka nevojë për panik, sa gripëra kemi kaluar ne…”. Këto janë fjalët e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, në një studio televizive në fillimin e kësaj jave, pasi u konstatuan dy rastet e para me koronavirus në vendin tonë.

Shumëkush mbeti i çuditur nga kjo deklaratë e kreut të FSHF-së, i cili me sa duket nuk e kuptonte aspak seriozitetin e situatës, edhe pse shumë afër Shqipërisë është një vend që po i vuan shumë rëndë pasojat e koronavirusit. Por nuk janë vetëm shqiptarët që çuditen nga fjalë të tilla të personit i cili drejton futbollin në vendin tonë.

Deklarata e tij ka bërë bujë edhe në mediat greke, ku fillimisht “gazzetta.gr” dhe më pas portale të tjera greke kanë publikuar fjalët e tij. Edhe aty i jepet theks faktit se Duka nuk ka kuptuar se çfarë po ndodh rreth e rrotull tij me një deklaratë kaq absurde në një moment ku e gjithë bota është në luftë me kohën dhe po mundohet në të gjitha mënyrat që të ndalë një virus shumë të rrezikshëm.


Shtuar 12.03.2020 22:41