Administrata e Joe
Biden nuk do të heqë
kufizimet ekzistuese të COVID-19 për udhëtarët nga jashtë.
Zëdhënësi i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe
Biden, thotë se SHBA do të vijojë të mbajë ndalimet e
udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar, pjesën më të madhe të BE-së dhe Brazilin, pavarësisht një urdhri të presidentit Donald Trump për t’i hequr ato.
Shtëpia e Bardhë vendosi të hënën që ndalimi i
hyrjes do të përfundonte më 26 janar, gjashtë ditë pasi
Biden të marrë detyrën.
Por zëdhënësi i
Biden, Jen Psaki, tha në Twitter se tani nuk ishte koha për të lehtësuar masat e
udhëtimit.
“Me përkeqësimin e pandemisë dhe shfaqjen e varianteve më ngjitëse në botë, kjo nuk është koha për të hequr
kufizimet në udhëtimet ndërkombëtare. Me këshillën e ekipit tonë mjekësor, administrata
Biden nuk ka ndërmend të heqë këto kufizime deri më 26 Janar. Në fakt, ne kemi ndërmend të forcojmë masat e shëndetit publik në udhëtimet ndërkombëtare për të zbutur më tej përhapjen e
Covid-19”, shtoi ai.
SHBA vendosi
kufizimet në Evropë marsin e kaluar dhe ndalimi i
hyrjes braziliane u vendos në maj.
Shtëpia e Bardhë publikoi një deklaratë duke thënë se presidenti Trump kishte nënshkruar një urdhër për heqjen e ndalimit të
hyrjes në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, zonën Shengen të Evropës që lejon udhëtimin përtej kufijve të hapur dhe Brazilin nga 26 janari.
Ndalimet e
udhëtimit për Kinën dhe Iranin do të vijojnë të qëndrojnë, thuhej në urdhër.
Pas një urdhri javën e kaluar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), shumica e udhëtarëve ajrorë që mbërrijnë në SHBA nga 26 janari do të duhet të sigurojnë një test negativ
Covid-19 ose provë të rimëkëmbjes nga sëmundja për të hyrë.
Shtuar më 19/01/2021,
ora 08:40