Përjashtimi nga Evropa i kushton klubit të Juventusit 80 milionë euro

Vendimi i UEFA për të përjashtuar Juventusin nga kompeticionet e saj për një sezon dhe vendimi i bardhezinjve për të mos apeluar i jep fund çështjes në drejtësinë sportive.

Tani te Zonja e Vjetër është koha të bëjë llogaritë që pa kompeticionet evropiane nuk duket se shkojnë mirë. Kjo, jo aq për mungesën në Conference League, që vlente 10 milionë euro, por më shumë për mospjesëmarrjen në Ligën e kampioneve, diçka që përshin shumë.

Sipas të përditshmes ‘La gazzetta Dello sport’, vitin e kaluar arkat e klubit bardhezi u pasuruan me rreth 55 milionë euro si shpërblim, shifër që shkoi në 65 milionë pas rrugëtimit në Europa League.

Duke llogaritur edhe 12-13 milionë eurot nga aspekte të tjera, në total Juventusit mungesa në kompeticionet evropiane i kushton 80 milionë euro.

Në këtë pikë drejtuesit e Juventusit duhet që nga njëra anë të ulin koston e skuadrës dhe nga ana tjetër duhet të rrisin të ardhurat në mënyrë të ndjeshme nga shitjet e futbollistëve, përndryshe do të duhet të rrisin sërish kapitalin.

Sot për sot llogaria ekonomike për Juventusin për sezonin 2023/24 nis nga -200 milionë euro. La gazzetta Dello Sport shpjegon se në 30 qershor të 2022 vlera neto e pasurisë së Juventusit ishte 166 milionë euro. Duke përllogaritur humbjet e vitit të kaluar, në 30 qershor të 2023 kjo vlerë mendohet të ketë zbritur në 50-60 milionë euro.

Pa korrigjimet, defiçiti i sezonit të ri do të çonte pasurinë neto të klubit bardhezi në vlera negative, duke kërkuar në këtë mënyrë një ndërhyrje të aksionerëve me atë që do të ishte rikapitalizimi i tretë i Juventusit pas atyre të 2019 e 2021 për vlerën e 700 milionë eurove.


Shtuar 29.07.2023 20:15