Beogradi hedh poshtë ndryshimet në dokumentin e Ahtisaarit
Albeu.com
Ekipi Negociator i Beogradit e ka hedhur mbrëmë poshtë dokumentin e ndryshuar të Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës dhe e ka caktuar delegacionin i cili do të marrë pjesë në bisedimet e nivelit të lartë ndërmjet Beogradit e Prishtinës, nesër më 10 mars në, Vjenë.Nikoliq kërcënon se në rastin e pavarësisë së Kosovës, Radikalët do ta përsërisin 5 tetorin e vitit 2000.

Në mbledhjen e kryesuar nga kryeministri, Vojisllav Koshtunica, e ku kanë marrë pjesë edhe presidenti Boris Tadiç dhe shefi i diplomacisë Vuk Drashkoviq, është vlerësuar se propozimi i ri i të dërguarit të posaçëm të KB, Martti Ahtisaari, nuk është i pranueshëm për Serbinë,
sepse nuk është marrë parasysh asnjë nga amendamentet e Beogradit që kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe të tërësisë tokësore të Serbisë.

Gjithashtu është vlerësuar se në propozimin e ri nuk ka ndryshime qenësore në raport me versionin e parë të propozim-zgjidhjes së Ahtisaarit, me të cilat cenohet sovraniteti dhe tërësia tokësore e Serbisë.

Nuk ka as zgjidhje tjera të cilat i respektojnë në tërësi qëndrimet e arsyeshme të Serbisë rreth çështjeve tjera për të cilat është negociuar në Vjenë, është theksuar në mbledhje, duke nënvizuar se Serbia ka marrë pjesë konstruktive në bisedimet e deritashme në Vjenë.

Është caktuar edhe delegacioni për negociatat e 10 marsit në Vjenë, në nivelin më të lartë ndërmjet Beogradit e Prishtinës, i cili do të kryesohet nga presidenti dhe kryeministri, Boris Tadiç e Vojisllav Koshtunica, e në të do të marrin pjesë edhe ministri i Jashtëm Vuk Drashkoviç dhe anëtarët tjerë të Ekipit Negociator të shtetit.

Edhe bashkërenduesit e Ekipit Negociator, Leon Kojen e Sllobodan Samarxhiç e kanë mbajtur mbrëmë vonë një takim me shefat e klubeve parlamentare në Kuvendin e Serbisë të cilët i kanë njoftuar me ndryshimet në dokumentin e Ahtisaarit dhe me vlerësimet e mbledhjes së Ekipit Negociator.

Shumica shefave të grupeve parlamentare, me përjashtim të Çedomir Jovanoviqit e Nenad Çanakut, kanë vlerësuar se plani i ndryshuar i Ahtisaarit është i papranueshëm, sepse nuk i respekton interesat themelore shtetërore të Serbisë në Kosovë.

Ata kanë kërkuar që për procesin negociator lidhur me statusin e Kosovës sa më shpejtë duhet të bisedohet në Kuvendin e Serbisë.

Ndërkohë, zv/kryetari i Partis[ Radikale të ultranacionalistit Sheshel, Nikoliç, ka deklaruar mbrëmë për BBC-në se në rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, radikalët e tij do të mund ta përsërisnin 5 tetorin e vitit 2000, kur pas ngjarjeve të dhunshme dhe tensioneve të shumta, demonstruesit patën depërtuar në godinën e Kuvendit të atëhershëm të Serbisë e Malit të Zi,dhe, ia patën vënë flakën, duke rrëzuar strukturat e regjimit të Millosheviçit nga pushteti. Por, asokohe Nikoliç nuk ishte me forcat demokratike të Serbisë, por në anën e kundërt të barrikadave.
Shtuar më 09/03/2007, ora 09:52
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori