BE reagon ashpër për dënimin e Timoshenkos
Bashkimi Europian shprehu shqetësimin e tij të thellë dhe lajmëroi për “ndërlikime të thella”, disa orë pasi ish-Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, u dënua me tetë vjet heqje lirie për abuzim me detyrën. Vendimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë në Kiev është parë nga ekspertët si gjerësisht politik. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, deklaroi se “ngjarja do të ndikojë në politikat e BE-së ndaj Ukrainës”.

Tymoshenko u dënua pasi veproi përtej fuqive të saj, duke mbyllur pa kaluar në parlament një marrëveshje gazi me Rusinë në 2009-n, marrëveshje që është parë si e dëmshme për Ukrainën.

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, i cili nënshkroi marrëveshjen, shprehu habi të thellë dhe publikoi një deklaratë në të cilën shprehej se nuk e kuptonte përse Tymoschenko ishte dënuar.

”Është e rrezikshme dhe kundërprodhuese të vendosen të gjitha paketat e marrëveshjeve në dyshim”, u shpreh Putin për “Reuters”, në të njëjtën kohë që Ministri i Jashtëm, Lavrov, e cilësoi vendimin si me një kontekts të qartë antirus.

Disa vende të tjera europiane kanë shprehur indinjatën e tyre për këtë vendim, me Ministrin e Jashtëm të Suedisë, Carl Bilbt, që e cilësoi këtë si një “shou politico-gjyqësor të turpshëm”.

Gjatë të gjithë seancës gjyqësore, Yulia Tymoshenko denoncoi vazhdimisht vendimin, ndërsa tha me tone të larta se “nuk do të rreshtë së luftuari për Ukrainën deri sa të ketë ende frymë”.
Shtuar më 11/10/2011, ora 19:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori