BE mirëpret fitoren e pro-evropianëve në Serbi, premton statusin kandidat
Albeu.com
"Mirëpresim ngrohtësisht fitoren e qartë të forcave pro-evropiane në zgjedhjet e përgjithshme në Serbi", ka përshëndetur e para Presidenca Sllovene e Bashkimit Evropian.Në një komunikatë për shtyp të orëve të vona të ditës së dielë sllovenët kanë mirëpritur edhe zhvillimin paqësor dhe të rregullt të zgjedhjeve, që vlerësimet e para i cilësuan të lira dhe demokratike.

"Shpresojmë në përbërjen e shpejtë të qeverisë së re me një mandat të qartë Evropian", deklaron më tej Presidenca e BE-së.

Njësoj ka reaguar pak orë pas rezultateve paraprake edhe zyra e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE Havier Solanës.

"Populli serb u dha një fitore të qartë partive pro-evropiane. Presim të punojmë ngushtë me një qeveri të re të formuar nga mandati i ri", deklaroi zëdhënësja e Solanës, Cristina Gallach për televizionin Alsat.

Në komunikatën për shtyp të Presidencës sllovene koalicionit pro-evropian në Serbi, të udhëhequr nga partia e Presidentit serb Boris Tadiç i premtohet statusi i vendit kandidat për në BE, nëse plotësohet kushti i bashkëpunimit të plotë me Gjykatën e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi. Përveç kësaj, sllovenët presin nga qeveria e re serbe që të angazhohet në mënyrë konstruktive në bashkëpunimin rajonal. (alsat)
Shtuar më 12/05/2008, ora 16:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori