Bashkimi
Evropian do të rishikojë ditët e ardhshme marrëdhëniet e tij me
Egjiptin. Në një deklaratë Presidenti i Këshillit
Evropian Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit
Evropian Jose Manuel Barroso u bënë thirrje të gjitha palëve në Egjipt të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
"Për këtë qëllim, së bashku me shtetet e saj anëtare, BE-ja do të shqyrtojë urgjentisht ditët e ardhshme marrëdhëniet e saj me
Egjiptin dhe do të miratojnë masa që synojnë arritjen e këtyre qëllimeve," thuhet në deklaratë.
Westerwelle: Dialogu rruga e vetme
Edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido
Westerwelle paralajmëroi për rrezikun e një lufte civile në Egjipt. Për
Egjiptin nuk ka "asnjë zgjidhje të besueshme, paqësore dhe të qëndrueshme" me përjashtim të dialogut midis të gjitha palëve si dhe një fillim të ri që do të bashkojë të gjitha forcat politike, tha
Westerwelle të shtunën (17.08.) gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Katarit Muhamed Khalid bin al-Attiyah në Berlin.
Ndihmat e perëndimit për
Egjiptin
Me gjithë brutalitetin e forcave egjiptiane të sigurisë,
politologu gjerman Wolfgang Merkel mendon se nuk duhet të ndërpriten ndihmat ushtarake të perëndimit për
Egjiptin, njofton shekulli.
"Një pezullim i pagesave do ta izolonte ushtrinë dhe do ta përforconte kështu tërë konfliktin," tha
politologu nga Berlini. "Perëndimi nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë, dhe amerikanët me sa duket nuk do ta bëjnë këtë për shkak se në këtë mënyrë ata do të humbnin shumë ndikim në rajon. Shtetet e Bashkuara dërgojnë çdo vit rreth 1.3 miliardë dollarë (975 milionë euro) ndihma ushtarake për Kajron”. /albeu.com/
Shtuar më 18/08/2013,
ora 18:50