BE i “shkel” syrin Ballkanit
Albeu.com
Mbledhja e ministrave të jashtëm: Rajoni, progres i konsiderueshëm "Por integrimi do të varet nga standartet”.Pas disa hezitimesh, ministrat e Jashtëm të BE-së kanë miratuar dje në takimin e organizuar nga Austria, që është kryesuese e radhës e Presidencës së BE në kuadër të Forumit politik BE-Ballkani Perëndimor, një deklaratë nëpërmjet së cilës rikonfirmohet mbështetja e plotë e BE-së për axhendën e Selanikut perspektiva e ardhshme e Ballkanit Perëndimor në BE. Deklarata është firmosur edhe nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në deklaratë u vlerësua progresi i konsiderueshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor në drejtim të stabilitetit, demokracisë dhe rritjes ekonomike që është arritur gjatë vitit të fundit. Gjithsesi, integrimi në BE do të varet nga meritat e secilit vend në kuadër të zbatimit të reformave dhe plotësimit të standardeve të Kopenhagenit.
Takimi
Në takimin e organizuar nga kryesuesja e radhës e Presidencës së BE-së që është Austria në kuadër të Forumit politik BE-Ballkani Perëndimor, merrte pjesë edhe shefi i diplomacisë shqiptare, Besnik Mustafaj. Marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, Austria i paraqiti si një nga prioritetet e kryesimit të saj me BE-në. Ky takim ishte në funksion të përparimit të procesit të eurointegrimit dhe përforcimit të vendeve të rajonit. Bazë për diskutimin e takimit ka qenë informacioni i Komisionit Evropian, “Ballkani Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, që u publikua në fund të janarit të 2006. Komisioni Evropian propozoi përforcimin e politikës së BE-së drejt rajonit, me masa të reja konkrete dhe aktivitete në sfera të interesit të ndërsjellë: të jurisprudencës dhe punëve të brendshme, regjimit të vizave, arsimit, tregtisë dhe zhvillimit ekonomiko-social.
Mustafaj
Ministri Mustafaj gjatë fjalës së tij, vlerësoi organizatorët për trajtimin me përparësi të Ballkanit Perëndimor në axhendën e tyre si dhe për rëndësinë që ata po i kushtojnë proceseve tona integruese evropiane. Më pas Mustafaj u përqendrua në çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë që nga Samiti i Selanikut deri në momentet aktuale, duke u ndalur në tre aspekte: në reformat e brendshme që ka ndërmarrë Shqipëria, në bashkëpunimin rajonal si dhe me institucionet e specializuara të BE-së.
Për sa i përket reformave në vend, Mustafaj theksoi se qeveria shqiptare e ka orientuar punën e saj për të zbatuar angazhimet sipas motos, “zero tolerancë” ndaj krimit dhe fenomeneve që jo vetëm kanë dëmtuar rëndë funksionimin e shtetit, por edhe imazhin e Shqipërisë. Mustafaj vuri në dukje se nëse korrupsioni si fenomen mund të luftohet edhe vetëm, krimi i organizuar kërkon bashkim përpjekjesh dhe bashkëpunim midis të gjitha vendeve dhe një front të përbashkët. Në këtë kuadër, ai theksoi se vihet re një disbalancë mes bashkëpunimit të secilit vend të rajonit tonë me vendet e BE-së dhe atij midis vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Si model të këtij bashkëpunimi, ai përmendi nivelin e lartë dhe të suksesshëm të bashkëpunimit të institucioneve të specializuara të Shqipërisë me ato të Italisë dhe Greqisë.
Kosova
Në deklaratën e përbashkët, një vend të veçantë zë çështja e Kosovës. Pjesëmarrësit pranuan se duhen bërë të gjitha përpjekjet për të arritur një zgjidhje të pranueshme nga palët e interesuara për statusin e Kosovës si dhe dhanë mbështetje të plotë për punën e bërë nga i Dërguari Special i OKB-së dhe ekipi i tij negociator. BE-ja ka kërkuar me forcë që Beogradi dhe Prishtina të punojnë bashkarisht për një marrëveshje për statusin e Kosovës, e cila të promovojë një shoqëri multietnike dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë midis tyre dhe rajonit.

Busek kritika vendeve të BE që pengojnë integrimin
Erhard Busek, kordinatori i Paktit të Stabilitetit e ka cilësuar skizofrenike politikën e disa vendeve të cilat duan që të vendosin rregulla të rregulla të reja për vendet e Ballkanit. Ai i ka bërë thirje Brukselit që të vazhdohet të ecet me linjën e përcaktuar në samitin e Selanikut në 2003 që nënvizonte nevojën e një integrimi të plotë të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian. Aktualisht 5 vende kanë një nivel të ndryshëm afrimi me Bashkimin Europian ndërsa po forcohen zërat nga disa vende, si Franca e cila kërkon rregulla të reja. Në disa vende europiane janë duke u forcuar zërat për të zgjatur ose penguar integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Europian.
nga Armando Meta, Gazeta Shqiptare
Shtuar më 13/03/2006, ora 10:44
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori