BE hedh "bombën" kundër Rusisë, ja paralajmërimi
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë dënuar fuqishëm sulmet ajrore të Rusisë dhe Sirisë, duke thënë se këto akte "mund të përbëjnë krime lufte".

Në deklaratën e 28 anëtarëve të bllokut, pas takimit të zhvilluar më 17 tetor në Luksemburg, është thënë se "që prej fillimit të ofenzivës së regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe aleatëve të tij, sidomos Rusisë, intensiteti dhe shkalla e bombardimeve ajrore në lindje të Alepos është qartazi në disproporcion".

Ministrave të BE-së kanë thënë se gjatë ofenzivës "janë sulmuar spitalet, personeli mjekësor, shkollat dhe infrastruktura e nevojshme dhe po ashtu janë përdorur bombat fuçi dhe armë kimike", raporton "Reuters".

Britania dhe Franca kanë kërkuar dënim më të fuqishëm për Sirinë dhe Rusinë, duke shtuar se bombardimet e Rusisë dhe Sirisë mbi qarqet e kontrolluara nga rebelët në Alepo janë "turp për njerëzimin".

Edhe pse Rusia nuk u kërcënua se do të përballet me sanksione të reja, ministrat e BE-së u fokusuan më shumë te regjimi sirian.

BE-ja kishte vendosur sanksione kundër Sirisë në maj të këtij viti. Ato janë në fuqi deri në qershor të vitit 2017.
Moska ka thënë se një armëpushim afatgjatë në Siri, gjë që po kërkojnë vendet perëndimore, do t'u jepte mundësi rebelëve të rigrupohen.

Por, më 17 tetor, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se gjatë ditës së enjte, për tetë orë në qytetin e Alepos do të ndalen bombardimet, me qëllim që civilët dhe rebelët të mund të largohen nga qyteti.

Lidhur me këtë njoftim, shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se armëpushimi tetë orësh mund të jetë fillimi.

"Në njoftimin e bërë nga Rusia për armëpushimin tetë orësh, e dini, mund të jetë fillimi. Ka diskutime të vazhdueshme nëse tetë orë janë të mjaftueshme ose jo që konvojet të dërgojnë ndihma në lindje të Alepos. Por, sigurisht është një hap pozitiv, por vlerësimi i fundit që kemi pasur nga agjencitë e OKB-së është se për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Alepo janë të nevojshme 12 orë, prandaj unë besoj se do të ketë pak punë për të gjetur gjuhën e përbashkët", ka thënë Mogherini.

Sipas shifrave të OKB-së, në qytetin e rrethuar të Alepos, jetojnë mbi 250 mijë civilë. /albeu.com/

Shtuar më 18/10/2016, ora 10:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori