BE hap bisedimet per anetaresimin e Turqise dhe Kroacise
Albeu.com
Bashkimi Evropian ka hapur bisedimet e anëtarësisë me Turqinë - një kulm në fushatën mëse 40-vjeçare të këtij vendi për t'u futur në komunitetin evropian.Sekretari i jashtëm britanik Jack Straw dhe ministri i jashtëm turk Abdullah Gul tokën duar para flamujve turq dhe britanikë. Pak minuta më parë ata kishin marrë pjesë në sesionin e parë formal të negociatave të anëtarësisë midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian.
Zoti Straw tha se takimi ishte një hap i rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësisë së plotë.
Bashkimi Evorpian nuk ka të bëjë me historinë dhe fenë, por me vlerat e përbashkëta, tha zoti Straw.
Zoti Gul tha se Turqia do të shtojë diversivitetin e BE-së, dhe do të përmbushë premtimet për reforma - por se BE-ja nga ana e saj duhet të respektojë premtimet e marra para Turqisë.
Ne do të bëjmë atë që duhet të bëjmë, tha ai. Ne gjithashtu do të presim nga BE-ja që të përmbushë premtimet e saj.
Disa orë më parë Turqia kishte pranuar kushtet e BE-së, pasi ministrat e jashtëm kapërcyen kërkesat e Austrisë që procesi të përfshinte një alternativë që të mos shkonte deri në anëtarësi të plotë.

Menjëherë pas hapjes së negociatave të anëtarësisë me Turqinë, Bashkimi Evropian bëri të njëjtën gjë me Kroacinë.
Vendimi u morr vetëm disa orë pasi kreyprokurorja e gjykatës së Hagës, Carla del Ponte, tha se Kroacia po bashkëpunonte plotësisht me gjykatën ndërkombëtare për krimet e luftës.
Bisedimet me Kroacinë priteshin të fillonin në mars, por ato u shtynë për shkak se vendi nuk po bënte sa duhet për të gjetur më të kërkuarin kroat nga gjykata, gjeneralin Ante Gotovina, i cili është ende në arrati.
Tani Kroacia shpreson të futet në BE deri nga fundi i dekadës.
Megjithë këmbënguljen e Britanisë se nuk pati allish-verishe, hapja e dritës së gjelbërt për Kroacinë bëri që të tërhiqen kundërshtimet e fundit të Austrisë lidhur me negociatat për Turqinë.
Disa diplomatë mbeten ende të shqetësuar se ky vendim do të pengojë përpjekjet për gjetjen e të dyshuarve për krime lufte në Ballkan.
Por kryeministri kroat Ivo Sanader tha se ky ishte një sinjal për vende të tjera në rajon për të vazhduar reformat.
BE-ja do të vazhdojë të ndjekë nga afër bashkëpunimin me gjykatën e krimeve të luftës dhe mund t'i bllokojë negociatat nëse Kroacia bën hapa mbrapa.
Por dhjetë vjet pas marrëveshjeve të paqes të Dejtonit Ballkani po sheh drejt të ardhmes, dhe jo të shkuarës.
Kroacia synon të futet në BE në vitin 2009, ndërsa fqinji i saj Serbia e Mali i Zi do të fillojë bisedimet për marrëdhënie më të ngushta me BE-në javën e ardhshme.

Gjithashtu Bashkimi Evropian ka rënë dakord për të hapur bisedimet për marrëveshjen e asocim stabilizimit me Serbinë dhe Malin e Zi. Koshtunica e ka vlerësuar vendimin e fundit të Bruskelit si të një rëndësie të jashtëzakonshme. Por Del Ponte ka përsëritur sërish kritikat ndaj Beogradit.
Do të doja të shihja dhe Serbinë e Malin e Zi të bashkëpunojë si Kroacia. Ne jemi shumë larg këtij bashkëpunimi me Beogradin, tha Del Ponte.
Shtuar më 04/10/2005, ora 15:03
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori