Baronesha Ashton kërkon qeveri gjithëpërfshirëse në Ukrainë
Shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton, sot i ka bërë thirrje Rusisë që të sillet si një fqinj i mirë karshi Ukrainës, dhe ta lërë këtë shtet të ecë në rrugën që zgjedh vetë.

Ashton para medieve sot në Kiev ka shfaqur “përkrahje të fuqishme” për prijësit e ri politik të Ukrainës. Ajo bëri thirrje edhe që autoritetet e reja në Ukrainë të formojnë sa më parë një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Ne presim që të formohet shumë shpejt qeveria e re, e natyrisht duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të ketë ekspertizën aq shumë të nevojshme. Kjo qeveri duhet të ketë, si një zgjidhje afatgjate politike ashtu edhe një plan kredibil ekonomik”, u shpreh Ashton.

Baronesha Ashton është zyrtarja e parë e lartë e huaj që viziton Ukrainën pasi parlament përmbysi presidentin Viktor Yanukovuch.

Ndërsa Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi sot se Ukraina nuk duhet të detyrohet që të zgjedhë ndërmjet lidhjeve të afërta me Rusinë apo lidhjeve me Perëndimin.

Ndërkohë parlamenti i Ukrainës sot e ka shtyrë me dy ditë krijimin e qeverisë së re, e parashikuar të ndodhte sot. /albeu.com/
Shtuar më 25/02/2014, ora 18:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori