Azerbajxhani ndalon mediat kritike ndaj pushtetit
Një gjykatë në Azerbajxhan urdhëroi sot bllokimin e disa faqeve të internetit që i përkisnin mediave kritike ndaj pushtetit të presidentit, Ilham Aliev, mes të cilave “Radio Free Europe”.

Faqja “Radio Azadlyg”, dega azere “Radio Free Europe”, media e financuar nga Kongresi i SHBA, u bllokua gjithashtu, si dhe televizionet që transmetojnë në internet “Saati TV”, “Turan TV” dhe “Meidan TV”.

Duke marrë këtë vendim, gjykata ka kënaqur Ministrinë e Komunikacionit, që kishte theksuar se këto media përbëjnë një kërcënim për interesat legjitime të shtetit dhe të shoqërisë në këtë ish-republikë sovjetike të Kaukazit të Jugut, i pasur me hidrokarbure.

Avokatët e këtyre mediave kanë denoncuar gjithashtu një vendim të paligjshëm dhe të pabazuar.

“Ky vendim shkel normat e ligjeve ndërkombëtare”, deklaroi avokati, Samed Ragimov.

Azerbajxhani është kritikuar shpesh nga OJQ-të ndërkombëtare për abuzime kundër mbështetësve të të drejtave të njeriut dhe personave kritikë me Ilham Aliev, i cili hedh poshtë këto akuza. /albeu.com/

Shtuar më 12/05/2017, ora 20:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori