Droni i policisë zbulon 4 ndërtime pa leje në Sarandë (VIDEO)

Policia vijon me operacionin policor i koduar “Coastline”, për konstatimin dhe goditjen e rasteve të veprimtarisë së kundërligjshme të ndërtimeve pa leje, në zona urbane dhe në ato bregdetare.

Si rezultat janë goditur  4 raste të tjera të ndërtimeve të paligjshme, 3 prej tyre në zona bregdetare, në Ksamil, dhe 1 në zonë urbane.

Policia ka proceduar penalisht 4 shtetasit që ndërtuan pa lejen e organeve kompetente.

Gjatë këtij muaji, si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve nga Policia e Sarandës, në kuadër të operacionit “Coastline”, janë goditur 16 raste të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, për të cilat ka nisur procedimi penal për 16 shtetas.

Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve në terren, në vijim të operacionit “Coastline”, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e ndërtimeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë konstatuar dhe goditur 4 raste të tjera të paligjshmërive në këtë fushë, për të cilat u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

B. M., 41 vjeçe, E. Ll., 38 vjeç, A. Z., 31 vjeç dhe B. H., 39 vjeç.

Gjatë kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë, 3 shtetasit e parë janë konstatuar duke kryer punime të ndryshme ndërtimi, pa lejen e organeve kompetente, në zona bregdetare në Ksamil, ndërsa shtetasi B. H. është konstatuar duke kryer punime ndërtimi, në zonë urbane.

Operacioni policor “Coastline”, për goditjen e krimeve kundër mjedisit, vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 24.07.2023 13:53