Një i vdekur dhe dy të lënduar nga aksidenti në Kukës
Athina me xhami pas kritikave të Këshillit të Europës
Albeu.com
Greqia akuzohet nga ana e Këshillit të Europës se nuk lejon lirinë fetare. Raporti detyron Athinë të ndryshojë qëndrim dhe të lejojë ndërtimin e xhamisë së parë në Athinë. Nisma është marrë nga shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani.Edhe myslimanët që banojnë në kryeqytetin grek do të kenë tashmë vendin e tyre të shenjtë për t’u falur, xhaminë. Nisma është marrë nga shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani, por vetëm pas zbulimit të një raporti të Këshillit të Europës që kritikon ashpër Athinën për moslejimin e lirive fetare në vend. Xhamia e Monastirakit, pranë Akropolit në kryeqytetin grek, do të restaurohet dhe do të nisë së shpejti të funksionojë, ndërsa për hapjen e këtij objekti fetar mysliman është siguruar mbështetja e kryepeshkopit Hristodhulos. Zyrtarët grekë shmangin lidhjen e mundshme të vendimit me raportin e KE-së dhe pohojnë se “Greqia synon vërtetë të respektojë të drejtat e emigrantëve. Nga ana tjetër, organet e shërbimeve të huaja sekrete kanë bërë të ditur se ekzistenca e një xhamie është e domosdoshme edhe për arsye të sigurisë dhe kontrollit të myslimanëve të Athinës.
Raporti
Komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës, Alvaro Gil-Robles, shprehu dje keqardhjen që mijëra myslimanë, të cilët jetojnë në Athinë, janë gjithmonë të detyruar të mblidhen fshehurazi në mungesë të vendeve të përshtatshme të kultit. Një nga shqetësimet kryesore të komisionerit në raportin e tij të vitit 2002 ishte se besimtarët që praktikojnë fenë myslimane janë të detyruar të mblidhen në vende të papërshtatshme si në kate përdhese, garazhe dhe vende të tjera private. Në konkluzionet e raportit të tij, Gil-Robles thekson se është për të ardhur keq që përdorimi i çdo vendi si vend kulti varet ende nga vendimi i peshkopit ortodoks lokal, edhe pse ky vendim është jodetyrues. Pavarësisht nga përgjigjja pozitive e qeverisë greke ndaj raportit të vitit 2002 për ndërtimin e një xhamie në Athinë, ai vëren në raportin e vitit 2006 se punimet nuk kanë filluar ende dhe se kjo situatë i detyron myslimanët të vazhdojnë të mblidhen fshehurazi në vende të papërshtatshme për lutje”.
Myslimanët e Athinës
Sipas të dhënave, të paktën 15-20 mijë myslimanë, shumë prej të cilëve shqiptarë, banojnë në Athinë dhe detyrohen të ushtrojnë të drejtat e tyre fetare në banesa të shndërruara në vende adhurimi. Në çdo rast të festive të medha të Islamit komuniteti mysliman i Athinës detyrohet të mblidhet ne stadiumin “Irinis ke Filias” (Paqja dhe miqësia) ose në stadiumin Olimpik. Në fund të vitit 2004 të paktën 65 “vende lutjeje” për myslimanët funksiononin në Athinë. Aty mblidhen shpesh emigrantë shqiptarë, pakistanezë, egjiptianë, sirianë e nigjerianë. Që prej vitit 1979 besimtarët myslimanë të kryeqytetit helen përpiqen të nxisin hapjen e një një xhami për emigrantët në Athinë. Për herë, kjo u premtua nga autoritetet në vitin 1997, por deri tani asnjë masë konkrete nuk është marrë. Sipas shtypit grek, pengesat kanë lidhje me frikën e çdo qeverie përkatëse të lidhjes së xhamise me minoritetin mysliman te Thrakes, por edhe në mungesën e vullnetit të kryetarëve të bashkive të lagjeve të Athines për ndërtimin e xhamisë në zonat e tyre.


Europa, dhjetëra xhami për besimtarët myslimanë

Ndërsa në Athinë, vendi i shenjtë mysliman ka shkaktuar debate dhe nuk është parë me sy të mirë, në Europë funksionojnë dhjetëra xhami për besimtarët myslimanë. Më të njohurat janë ato në Angli, Al Rahma ne Liverpul, Viktoria Park ne Mançester, Finsbëri Park në Londër dhe Sratford Strit në Linç. Dhjetëra xhami të vogla kanë edhe Parisi, Marseja dhe qytetet e Suedisë. Xhamia më e madhe në Europë është Kolsherif në Kazan të Rusisë, në brigjet e lumit Vollga. Ndërsa në qytetet e Greqisë, ka mijëra vende faljeje për myslimanët, në mungesë të një vendi të shenjtë zyrtar për ta. Një prej zonave ku ka një përqëndrim të madh të emigrantëve myslimanë dhe sidomos shqiptarë është Edesa. Në vitin 2002, rreth 19 mijë emigrantë myslimanë të prefekturës së Pelles në veri të Greqisë bënë nje kërkesë për rifunksionimin e xhamisë së Edesës. Kërkesa i drejtohej ambasadës turke në Athinë, konsullates turke, Myftiut te Komotinisë, Ministrise së Jashtme të Shqipërisë, Ministrisë se Arsimit dhe të Besimit Fetar në Greqi dhe Kryepeshkopit Hristodhulos. Xhamia e quajtur edhe Gjeni Xhami e Vodhenon u ndërtua në fund të shekullit të 19-të nga Hasan Fehmi Pasha dhe ishte tempulli i 9 musliman u qytetit. Por, në vitin 1923 u mbyll nga organet greke dhe në dhjetëvjeçarin e ardhshëm u kthye në depo të Shërbimit Arkeologjik.

nga Aleksandër Marku, Gazeta Shqiptare
Shtuar më 31/03/2006, ora 10:33
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori