Vjosa Osmani i kundërpërgjigjet Isa Mustafës: E sfidoj publikisht

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani është prononcuar për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku ajo i ka dërguar porosi bashkëpartiakëve të saj.

Osmani ka vazhduar betejën “publike” me liderin e LDK-së, Isa Mustafa. Duke e komentuar një deklaratë të Isa Mustafës, i cili kishte paralajmëruar masa ndaj Osmanit nga organet e partisë, ajo tha se “edhe Isa Mustafa edhe secili politikan në Kosovë e di një gjë shumë mirë, unë nuk kam nevojë të koordinohem me askënd për qëndrimet që i mbajë”.

“Unë i kam qëndrimet e mia që burojnë nga puna ime me kolegë, me njerëz që vërtetë e dojnë LDK-në, që vërtetë e dojnë Kosovën në këto dy dekada, dhe këto qëndrime kanë qenë gjithnjë të njëjta”, tha kryeparlamentarja e Kosovës.

Ajo bëri të qartë se as Isa Mustafa e askush tjetër nuk mund t’i tregojë asaj se çfarë qëndrime të mbajë për tema të caktuara politike. Vjosa Osmani gjithashtu para gazetarëve e ka sfiduar Isa Mustafën, duke thënë që ai t’i tregoj se cilat qëndrime i ka ndërruar ajo nga ato që i ka thënë para zgjedhjeve të 6 tetorit.

Osmani ka nënvizuar se Qeveria duhet ta udhëheq dialogun me Serbinë, kjo ëpr faktin edhe se Gjykata Kushtetuese e ka thënë një gjë të tillë. Sipas saj, nuk bën të preken kufijtë e vendit, duke e akuzuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi se po e mbështet idenë e shkëmbimit të territoreve.

/BotaSot/


Shtuar 8.06.2020 18:37