Arrihet marrëveshja, Gjermania bëhet me qeveri
Unioni Demokristian i kancelares Angela Merkel dhe Partia Socialdemokratike e kryesuar nga Martin Schulz, kanë arritur pajtimin për marrëveshjen e koalicionit, njoftuan sot mediat gjermane.

Siç u theksua, në Berlin dy palët tashmë kanë filluar bisedat për ndarjen e ministrive dhe duket se socialdemokratëve do të ju takoi ministria e Punëve të Jashtme.

Zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani u zhvilluan më 24 shtator të vitit të kaluar. Marrëveshja duket se do ti jep fund ngërçit politik i cili filloi menjëherë pas zgjedhjeve, pasi që konservatorët e Merkelit nuk qenë në gjendje që të sigurojnë një shumicë të nevojshme, për të formuar qeverinë pa socialdemokratët.

Bisedat mes dy palëve ishin maratonike, pasi që filluan të martën pasdite dhe vazhduan edhe gjatë ditës së sotme. Udhëheqësi i socialdemokratëve,Martin Schulz, fillimisht kishte përjashtuar mundësinë që partia e tij të hyj në koalicion me konservatorët e Merkelit, por ndërroi mendjen pasi që dështuan bisedat për formimin e qeverisë mes konservatorëve, liberalëve dhe Partisë së Gjelbër.

Pas ngërçit që zgjati gati pesë muaj, tani ekziston shpresa se qeveria e re e Gjermanisë do të formohet para festës së Pashkëve. Sidoqoftë, 460 mijë anëtarë të Partisë Socialdemokratike gjatë javëve në vijim do të zhvillojnë një referendum, në të cilin do të votojnë për atë se a do të pranojnë apo jo marrëveshjen për koalicion me konservatorët.

Krahas ministrisë së Jashtme, është raportuar se socialdemokratët do të marrin edhe ministrinë e Financave dhe atë të Punës

Shtuar më 07/02/2018, ora 12:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori