"Arkitektja" Albright
Albeu.com
Në kohën kur Madeleinë Albright ishte sekretare amerikane e shtetit në vitet e 90-ta, dukej se era po frynte në favor të administratës së Bill Clinton, në momentin kur ajo po kryesonte përpjekjet e aleatëve në NATO për t’u dhënë fund spastrimeve etnike në Ballkan, në periudhën e re pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Dukej se NATO, aleanca e formuar për t’u përballur me kërcënimin sovjetik, kishte gjetur një qëllim të ri, pra të kryesojë çështjen humanitare për t’i dhënë fund gjenocidit dhe për të ndihmuar në stabilizimin dhe rindërtimin e shteteve të shkatërruara nga luftërat.

Por, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, administrata e George Bushit e filloi luftën globale kundër terrorizmit, të cilën e udhëhoqi vetëm dhe kryesisht jashtë kornizave të Aleancës. Në ndërkohë, u forcua gjithnjë e më shumë qëndrimi armiqësor i Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s në lindje, pasi që Moska këtë zgjerim e cilëson si kërcënim të sigurisë së vet kombëtare. Bota sot duket një vend më i pashpresë, ndërsa roli i NATO-s më i paqartë.

Prandaj kur sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kërkoi nga Albright që të kryesojë ekipin e ekspertëve, i cili do ta këshillojë atë për rivlerësimin e ardhmërisë së NATO-s, ajo theksoi se e pranon me kënaqësi këtë sfidë.

“NATO-ja ka qenë një damar gjatë gjithë jetës time”, tha Albright e cila shkoi në SHBA, pasi që puçi komunist detyroi të atin e saj diplomat që së bashku me familje të largohet nga Çekosllovakia në vitin 1948.

“Tërë jetën time e kam kaluar duke e studiuar komunizmin dhe sistemin sovjetik. Dhe kam qenë ambasadore në OKB në periudhën e përmbysjes së Bashkimit Sovjetik.

Gjithashtu kam qenë aekretare e shtetit, kur NATO-s ia bartëm përgjegjësinë për të ndalur spastrimet etnike në Ballkan”, shtoi ajo.

Albright thotë se puna e saj ka për qëllim të ndihmojë në gjetjen e përgjigjes për pyetjen thelbësore:”Si një aleancë, e cila bashkon popujt dhe vlerat nën një mbrojtje të përbashkët, e krijuar për t’u mbrojtur nga një rrezik, i cili nuk ekziston më, mund të gjejë sërish rëndësinë e saj në përballjen me një seri të kërcënimeve të reja?”

Albright po e kryeson ekipin e ekspertëve, të cilët po këshillojnë Rasmussenin për konceptin e ri strategjik të NATO-s, i cili do të bëhet publik më vonë gjatë këtij viti. NATO-ja deri tani ka publikuar vetëm dy koncepte strategjike që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik-në vitet 1991 dhe 1999, kur NATO-ja për herë të parë hyri në luftë përtej kufijve të vet, në luftën ajrore për Kosovën, kundër udhëheqësit të Serbisë, Slobodan Miloshevicit.

Krahasuar me situatën aktuale, problemi që ka paraqitur Milosevici në vitet e 90-ta duket gati asgjë. Terrorizmi, programi bërthamor i Iranit, ndryshimet klimatike, kërcënimet kibernetike dhe kriza globale ekonomike janë vetëm disa prej çështjeve serioze me të cilat përballet sot administrata e presidentit amerikan, Barack Obama. Këto kërcënime janë shumë më globale sesa kërcënimi sovjetik, për ndaljen e të cilit ishte themeluar NATO-ja.

Ekipi i Albrightit, i cili përbëhet nga 12 ekspertë, deri tani ka zhvilluar katër seminare, gjatë të cilave ka shqyrtuar çështjet e vështira. Në seminarin e parë, të zhvilluar në Luksemburg, u diskutua për ambientin ndërkombëtar dhe rolin thelbësor të NATO-s. Në takimin e dytë, të zhvilluar në Slloveni, u diskutua për leksionet e mësuara gjatë operacioneve të Aleancës. Në takimin e tretë, në Norvegji, u diskutua për marrëdhëniet e Aleancës me shtetet që nuk janë anëtare të NATO-s.

Në takimin e katërt, i cili do të zhvillohet sot në Universitetin për Mbrojtje Kombëtare, do të vlerësohen kapacitetet ushtarake të NATO-s. Faza e dytë e rivlerësimit parasheh konsultimet e anëtarëve të ekipit në kryeqytetet e NATO-s dhe përtej, me qëllim që i tërë procesi të mbahet transparent.

“NATO-ja është dëshmuar si aleanca më e suksesshme ushtarake në histori. Por, qëllimi i themelimit të saj ishte mbrojtja nga Bashkimi Sovjetik, i cili nuk ekziston më”, thotë Albright.

Roli i Albrightit në rivlerësimin e rolit të NATO-s mbështetet fuqishëm nga senatori John Kerry, kryesues i Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë. “Sekretarja Albright po kryeson përpjekjet për të ruajtur gatishmërinë dhe rëndësinë strategjike të NATO-s. Çdo organizatë, e cila ka 60 vjet, duhet t’i adaptohet realiteteve të reja dhe të ndryshojë planet e veta. Aktualisht, mendoj se çështja kryesore është se si e definon Aleanca sigurinë.

Si një mjet për të ruajtur sigurinë ndërkombëtare, NATO-ja është një organizatë unike, thotë Laurie Dundon, ish-bashkëpunëtore Albrightit në Departamentin e Shtetit.
Krahasuar me botën me të cilën është përballur administrata e Clintonit, problemet me të cilat po përballet tani presidenti Obama janë shumë më të vështira, është e mendimit Albright.

“Një numër i madh i njerëzve mendojnë se marrëdhëniet ndërkombëtare janë një lojë e shahut”, u përgjigj Albright, e pyetur për numrin e madh të sfidave, me të cilat përballet administrata aktuale, duke filluar nga Jemeni deri në Irani, e deri te negociatat për marrëveshjen e re për reduktimin e armatimit strategjik me Rusinë.

“Por, kjo nuk është një lojë e shahut, në kuadër të së cilës lojtarët qëndrojnë të ulur në heshtje, duke hartuar strategjinë e tyre dhe duke mos u ngutur që të ndërmarrin hapat e tyre. Më shumë i ngjason një loje të bilardos, me shumë topa të ngjitur pranë njëri tjetrit. Topat më pas lëvizin në të gjitha drejtimet dhe lojtari duhet të reagojë ndaj një niveli më të lartë të paparashikueshmërisë. Është kjo një gjë tejet horizontale dhe dinamike”, nënvizoi ajo. (Politico)
Shtuar më 23/02/2010, ora 17:57
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori