Arabia Saudite bëhet gati për luftë me Iranin
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, tha se të gjitha opsionet, përfshirë atë ushtarak, janë në tavolinë, për t’iu përgjigjur Iranit, pas sulmeve në dy rafineri të naftës.

Arabia Saudite ka dashur të shmangë luftën dhe përshkallëzimin, por Irani do të mbahet përgjegjës për sulmet me dronë dhe raketa”, tha al-Jubeir në një intervistë për BBC-në.

Shetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane kanë vlerësuar se prapa sulmeve të 14 shtatorit qëndron Irani, edhe pse ky i fundit ka mohuar se është i përfshirë.

Përgjegjësinë për sulmet e kanë marrë rebelët Huthi në Jemen, të cilët luftojnë një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite në luftën e Jemenit.

Por, zyrtarët sauditë këmbëngulin se shkalla dhe kompleksiteti i sulmeve i tejkalojnë aftësitë e rebelëve Huthi.

“Pajtimi nuk ka funksionuar me Iranin në të kaluarën dhe nuk do të funksionojë as në të ardhmen”, tha al-Jubeir.

Edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se të gjitha opsionet mbeten në tavolinë për t’iu përgjigjur përfshirjes së dyshuar të Teheranit në sulme.

Irani, në anën tjetër, ka paralajmëruar luftë të shkallës së gjerë nëse sulmohet.

Shtuar më 26/09/2019, ora 16:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori