Anulohen zgjedhjet presidenciale në Austri
Në Austri gjykata Supreme ka anuluar zgjedhjet presidenciale, të cilat i humbi kandidati i ekstremit të djathtë nga “Freedom Party”. Partia ka sfiduar rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se votat me anë të postës nuk janë numëruar si duhet.

Kandidati i kësaj partie, Norbert Hofer, i humbi zgjedhjet nga ish-lideri i të gjelbërve, Alexander Van der Bellen, me një përqindje shumë të vogël

Udhëheqësi i Gjykatës Kushtetuese, Gerhard Holzinger, ka thënë; “Argumentet që janë sjellë nga lideri i ‘Freedom Party’, Heinz-Christian Strache kundër zgjedhjeve të 22 majit janë të qëndrueshme”, njofton BBC.

Gjatë dy jave dëgjime, argumentime nga avokatët dhe sjellje të dëshmive është argumentuar se votat me postë janë mbajtur ilegalisht në 94 nga 117 vende. Qindra vota janë hapur përpara afatit dhe disa nga to janë numëruar nga njerëz të paautorizuar.

Kjo parti, po ashtu ka sqaruar se ka dëshmi që kanë votuar edhe disa persona nën moshën 16 vjeçare dhe disa të huajë po ashtu.
Nëse zgjidhet Hofer pas zgjedhjeve të reja, do të jetë presidenti i parë i të djathtës ekstreme në një vend të Bashkimit Europian.

Partia e tij ka zhvilluar politikat e saj gjatë fushatës elektorale duke u mbështetur në kritika për migrimin dhe rëniën e standardit të jetës.

Pas vendimit të Gjykatës për zgjedhje të reja, presidenti Heinz Fischer, do të zëvendësohet përkohësisht nga tre zyrtarë të parlamentit, përfshirë edhe Hofer. Ndërkohë pritet që tashmë zgjedhjet e tjera të mbahen në shtator ose tetor të këtij viti. /albeu.com/
Shtuar më 01/07/2016, ora 13:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori