Analiza rreth ryshfteve në BE, Italia kampione
Albeu.com
Vëzhgimi i "Transparency International" për ryshfetet, që mbulon plot 30 vende, tregon se asnjë vend nuk është krejtësisht i pastër për sa i takon ryshfeteve që duhet të paguajnë kompanitë, edhe pse Zvicra, që nuk është anëtare e BE-së, dhe Suedia, renditen në krye të listës për kompanitë që nuk ofrojnë zarfe me para nën dorë.Sipas "Transparency Internacional" të gjitha vendet jane të "përlyera"

Një vëzhgim i kompanive nga 10 vende të Bashkimit Evropian, ka zbuluar se ryshfetet janë ende pjesë e jetës së përditshme të biznesit dhe kompanitë italiane duket se janë ato që mbajnë kreun e listës së "haraçeve" në Evropë. Vëzhgimi i "Transparency International" për ryshfetet, mbulon plot 30 vende, tregon se asnjë vend nuk është krejtësisht i pastër për sa i takon ryshfeteve që duhet të paguajnë kompanitë, edhe pse Zvicra, që nuk është anëtare e BE-së, dhe Suedia, renditen në krye të listës për kompanitë që nuk ofrojnë zarfe me para nën dorë. "Në krye të renditjes sonë, është Zvicra, por edhe ajo nuk është perfekte. Mesazhi është: mund të ketë shumëllojshmëri këtu, por nuk ka fitimtarë të vërtetë", thotë organizata që lufton korrupsionin në një deklaratë për shtyp. Anëtarët e BE-së që gjenden në pozicionin më të keq, janë Portugalia, që renditet e 16-ta dhe Italia, e 20-ta. Ndërsa Turqia, aspirante për anëtarësim në BE, është e 27-a, e ndjekur menjëherë më pas nga Rusia. Vëzhgimi ka zbuluar gjithashtu se kompanitë franceze dhe italiane, janë mes më aktiveve në pagimin e ryshfeteve për bizneset e reja në vendet e varfra afrikane. Por, ideja e ryshfeteve në vendet e varfra, është një tendencë që është parë në më shumë se 30 kompani të vëzhguara. "Kompanitë nga vendet e pasura, përgjithësisht renditen në gjysmën e parë të klasifikimit, por, gjithsesi, ato paguajnë rregullisht ryshfete, veçanërisht në vendet në zhvillim", thotë "Transparency International". Në mars të këtij viti, siç thekson organizata, kompania gjermano-amerikane e makinave "DaimlerChrysler" pohoi se një hetim i brendshëm kishte konfirmuar akuzat për pagesa të parregullta që ishin bërë nga stafi i saj në Afrikë, Azi dhe Evropën Lindore. "Kompanitë nga fuqitë më të reja eksportuese si India, Kina dhe Rusia, renditen në zonën më të keqe të klasifikimit", thotë "Transparency International". Ndërsa Zvicra, Suedia, Australia, Austria dhe Kanadaja, zënë pesë vendet e para të klasifikimit. Në fund të renditjes, janë ndërkohë Tajvani, Turqia, Rusia, Kina dhe India. Rezultatet e vëzhgimit, janë marrë nga anketimi i më shumë se 11 mijë biznesmenëve në 125 vende. Numri 10 i pikëve, tregon zero korrupsion ndërsa numri zero, do të thotë që korrupsioni, është sundues. India, që gjendet e fundit në klasifikim, ka 4,62 pikë. "Transparency International", tha se është fokusuar në firma nga 30 vendet më të mëdha eksportuese, që së bashku kryejnë më shumë se 80 për qind të eksporteve në botë. Organizata rendit edhe vendet dhe jo thjesht kompanitë, që inkurajojnë korrupsionin dhe ryshfetet. "Ky vëzhgim dëshmon suksesin, por edhe dështimin e qeverive të vendeve të ndryshme, për të kontrolluar korrupsionin jashtë kufijve, nga kompanitë që e kanë qendrën në këto vende. Dhjetë vendet evropiane, ndër 30 të vëzhguarit në këtë studim, ishin Suedia (e dyta në listë), Austria (4), Gjermania (7), Holanda (8), Belgjika (9), Spanja (13), Franca (15), Portugalia (16) dhe Italia (20).


Të gatshëm për ryshfete

Vendet, firmat e të cilëve janë më pak të gatshëm për të paguar ryshfete
Zvicra
Suedia
Australia
Austria
Kanadaja


Vendet, firmat e të cilëve janë më të përgatitur për të paguar ryshfete
India
Kina
Rusia
Turqia
Tajvani


Top 3
Zvicra është vendi i firmave që nuk preferojnë aspak pagesën e ryshfeteve dhe ndiqet në klasifikim nga Suedia e Australia


Azia
Firmat nga Kina dhe India, janë më të predispozuarat për të paguar ryshfete jashtë, për të ushtruar biznesin


Afrika
Kompanitë franceze dhe italiane, janë paguesit më të mëdhenj të ryshfeteve në vendet e varfra, veçanërisht në Afrikë


"Transparency International", është një organizatë civile me përmasa globale, që lufton korrupsionin, mbledh së bashku njerëz nga e gjithë bota, në një koalicion global për t‘i dhënë fund pasojave shkatërruese të korrupsionit. Misioni i saj është të mundësojë ndryshimin dhe ecjen drejt një bote pa korrupsion. "Transparency International", është një rrjet global që përfshin më shumë se 90 degë lokale. Këto degë, mbledhin së bashku eksponentë të rëndësishëm nga qeveritë, shoqëria civile, biznesi dhe media, për të promovuar transparencën në zgjedhje, administratën publike, prokurim dhe biznes. Tani, në dekadën e dytë të jetës së saj, organizata po maturohet dhe po intensifikon luftën e saj kundër korrupsionit. Gazeta Shqip
Shtuar më 06/10/2006, ora 09:47
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori