"Çmimi që pagova për Perestrojkën"
Albeu.com
Gorbaçov rrëfen të fshehtat e lëvizjes që parapriu erën e re. Sipas tij suksesi i madh politik u shoqërua me një tragjedi personale. Kanë kaluar thuajse dhjetë vjet që nga vdekja e së shoqes dhe ai ende ia ndjen shumë mungesën.Kanë kaluar thuajse dhjetë vjet që nga vdekja e së shoqes dhe ai ende ia ndjen shumë mungesën. "Për mua është ende shumë e vështirë ta pranoj", thotë. "U njohëm kur ishim pak më shumë se fëmijë dhe kaluam bashkë përmes shumë dramash, gëzimesh e tragjedish. Raisa vdiq vetëm katër ditë përpara përvjetorit të 46-të të martesës. Ishim shumë të lumtur bashkë".

Pas pak javësh do të vizitojë Britaninë, për të grumbulluar fonde për fondacionin bamirës që mban emrin e tij. Një eveniment i tillë, i zhvilluar kohë më parë, arriti të grumbullojë më shumë se 3 milionë euro nga 500 të pranishmit, ku gjendeshin shkrimtarja JK Rouling, Naomi Kempbëll dhe Sër Elton Xhon.

Raisën nuk e kujton vetëm për kujdesin që tregonte për gjithçka të tijën. Fondacioni i saj punon edhe sot për fëmijët që u sëmurën nga leucemia pas katastrofës së Çernobilit dhe atij i kujtohet ende mirë sa u trondit nga ajo ngjarje.

"Në një spital të vogël rus u takua me nëna të reja që mbanin në duar foshnjat e tyre. Këto gra i ranë në gjunjë, duke i kërkuar ndihmë". Pak kohë më pas edhe vetë Raisas iu diagnostikua një formë e rrallë leucemie. Vdekja e saj, në moshën 67-vjeçare, në të vërtetë pritej nga të gjithë.

Gjallëria e saj mori fund në gusht të vitit 1991, kur Gorbaçovi e gjeti veten të burgosur në shtëpinë e pushimeve të Detit të Zi, pas një grusht shteti që solli rënien e Bashkimit Sovjetik. Rebelimi u shua, por pushteti i Gorbaçovit praktikisht kishte marrë fund. Raisa nuk e mori kurrë më veten nga ajo tronditje, dhe vuajti nga një seri problemesh cerebrale, deri në mbërritjen e sëmundjes përfundimtare.

Teksa fajëson Boris Jelcinin, njeriun që e pasoi në majën e pushtetit, edhe vetë Gorbaçovi ndihet i përgjunjur nga ndjenjat e fajit. Edhe në të shkuarën ka thënë shpesh se përpjekjet e tij për vënien në jetë të glasnostit dhe perestrojkës - hapje dhe ringjallje - i kanë kushtuar shtrenjtë familjes së tij.

Tani merr përsipër edhe pjesën e vet të fajit për vdekjen e bashkëshortes. "E fajësoj me të vërtetë vetveten. Pagova një çmim shumë të shtrenjtë për perestrojkën. Raisa qe shumë e ndjeshme, dhe kur njerëzit e afërt të Jelcinit nisën fushatën e përgojimit kundër meje, u prek së tepërmi. Kërkonin të më sulmonin përmes familjes sime, pika ime më e dobët".

Megjithëse ka thënë më parë se ai dhe Rasia flisnin "për punët e niveleve më të larta të shtetit sovjetik", për herë të parë pranon se e shoqja i druhej politikës. "Nuk merrte pjesë në punët e rëndësishme politike. Ndjente se politika po i merrte të shoqin nga krahët. Kështu që nuk e kishte shumë për zemër. E shihte me sytë e saj atë që po më bënte mua politika dhe trishtohej kur e shihte sa keq ndihesha unë. Shpesh pyeste cili nga ne të dy qe më fatlum pasi qe martuar me tjetrin. Vdiq përpara se ta mësonim përgjigjen. Shpesh njerëzit e pyesnin për sekretin e rinisë dhe bukurisë së saj. Zakonisht ndërhyja unë dhe shpjegoja se kjo vinte për shkak të martesës fatlume me mua".

Vetëm muajin që shkoi u raportua zyrtarisht se më në fund Gorbaçovi e deklaroi veten të krishterë, gjë që ndodhi pas vitesh të tëra hamendësimesh mbi besimin e tij fetar, sidomos pas lutjes përpara varrit të Shën Frankut të Asizit. Duket se Ronald Reagani, i cili e mendonte Gorbaçovin "besimtar të fshehtë", paska pasur të drejtë. Por në vend që të qartësohej, misteri i besimit fetar të Gorbaçovit është thelluar edhe më tej. Tregon se është ateist i bindur. "U bë shumë zhurmë pas vizitës sime në atë manastir. Unë i respektoj shumë besimtarët. Babai i Rasias qe komunist i bindur, ndërsa e ëma iu lut Zotit gjatë gjithë jetës. Mund të përjashtoheshe nga partia për shkak të besimit, por ata mbanin një foto të Krishtit në një kënd të shtëpisë dhe në një tjetër portretet e Leninit e të Stalinit. E kam ngulur në kujtesë shumë mirë atë dhomë. Por personalisht jam ateist".

Edhe pse i pagëzuar nga kisha ortodokse ruse, hoqi dorë nga besimi shumë kohë më parë. Megjithatë e kundërshtoi me shumë forcë gjatë gjithë jetës luftën ndaj besimit fetar. "Ringjallja e besimit fetar qe shumë e rëndësishme për vendin tonë", thotë.

Tani u përkushtohet kryesisht veprimtarive bamirëse. Fondacionin "Raisa" e ka promovuar në Hampton Kourt dhe në Althorp, që dikur ka qenë shtëpia e Dianës, princeshës së Uellsit. Kushdo mund të kishte rastin të merrte pjesë në një drekë madhështore në praninë e Gorbaçovit. Një çift amerikan e pagoi biletën plot 160 mijë dollarë, gjë që iu duk edhe e leverdishme falë të qenit në shoqërinë e tij tepër të këndshme. Është shumë i lumtur edhe të gjendet mes personazheve të tilla si Salman Ruzhdie.

Përveç kontratës për reklamën e kompanisë "Pizza Hut", së fundmi ka pranuar të bëhet fytyra më e rëndësishme publicitare e prodhuesit të valixheve "Louis Vuitton". "Jam një lloj VIP-i. E mbaj më këmbë fondacionin tim, me paratë që fitoj vetë. Ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbahen përjetësisht nga shteti. Nuk ndodh kështu në Rusi. Nuk e gëzojmë mbështetjen e qeverisë".

Thotë se i duhet një ndërtesë e re, duke qenë se Jelcini e zboi fondacionin e tij nga zyrat e dikurshme. "Kjo qe arsyeja për të cilën pranova të reklamoja firmën ‘Pzza Hut‘". Thotë se edhe kontrata me "Louis Vuitton" i dha mundësinë të grumbullonte shumë para për veprimtari bamirëse. "Po bëj gjithçka në dritë të diellit. Shtypi nuk më lë rehat për një çast, por ç‘mund t‘i bësh"?

"E kanë idenë sa është pensioni që marr nga shteti rus", thotë duke ngritur supet? "1 mijë dollarë në muaj. Tani, mbesa ime, Anastasia, ka filluar punë dhe paguhet më shumë se unë". Gorbaçovi ka një bijë, Irinën, mamaja e dy mbesave shumë të dashura për Gorbaçovin.

Ka pasur gjithnjë dy pengje të mëdha. I pari është që përpjekjet për ndalimin e prodhimit të armëve bërthamore - falë të cilave fitoi edhe çmimin "Nobel" - nuk u ndal përfundimisht. "Liderët politikë ende mendojnë se gjërat mund të zgjidhen përmes përdorimit të forcës, por nuk mund ta zhdukin terrorizmin. Hapat prapa janë ato që ushqejnë më së shumti terrorizmin dhe janë pikërisht ato që duhen luftuar". (Shqip)
Shtuar më 09/05/2008, ora 18:08
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori