Amnesty International: Evropa po diskriminon myslimanët me ligjet antiterrorizëm
Një seri ligjesh të reja antiterrorizëm në mbarë Evropën diskriminojnë myslimanët dhe refugjatët, si dhe përhapin frikë dhe armiqësi. Kështu thuhet në një raport të “Amnesty International” të publikuar së fundmi.

Grupi i të drejtave të njeriut i ra kambanave të alarmit në lidhje me masat e sigurisë të adoptuara gjatë dy viteve të kaluara në 14 shtete të BE-së, përfshirë fuqitë e shtuara në mbikëqyrje dhe gjurmim.

Gjatë kësaj periudhe, sulmet e militantëve kanë shkaktuar rreth 280 viktima në Francë, Belgjikë dhe Gjermani. Sulmet, pjesa më e madhe e të cilave të marra përsipër nga grupi i Shtetit Islamik, kanë ndezur tensionet mbi emigracionin, kanë rritur mbështetjen për partitë e krahut të djathtë dhe kanë shndërruar sigurinë në një temë kyçe në zgjedhjet e pritshme në Francë, Holandë dhe Gjermani.

“Qeveritë shohin një person dhe thonë ‘ti më dukesh i dyshimtë’. Viziton qëndrat komunitare, shkon në një xhami të caktuar dhe të kufizojnë sjelljen, sepse mendojnë se në të ardhmen ti mund të kryesh një krim”, thotë Julia Hall, eksperte e “Amnesty International” në çështjet e Antiterrorizmit, që është edhe autore e raportit.

Ajo paralajmëron se masat drakoniane të mbikëqyrjes dhe fuqitë shtesë të kërkimit, burgosjes dhe arrestimit, si ato të ndërmarra në Francë që nga nëntori i vitit 2015, kur sulmet i morën jetën 130 personave, mund të keqpërdoren për të vënë në shënjestër aktivistë apo grupe minoritare që nuk përbëjnë një kërcënim të mirëfilltë, transmeton TCH.

Madje, sipas raportit, masat e reja të marra pas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2014, për të goditur luftëtarët e huaj dhe për të kriminalizuar justifikimin apo glorifikimin e terrorizmit, redukton hapësirën për lirinë e shprehjes.

Amnesty” u bëri apel vendeve të BE-së të kufizojnë masat e mbikëqyrjes për individët, bazuar thjesht te dyshimet. /albeu.com/
Shtuar më 17/01/2017, ora 21:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori