Rama intervistë për median gjermane: Nëse nuk martohemi me BE, do të jemi murgeshat e Europës

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për median gjermane Welt ka folur për interimin e Shqipërisë në BE, duke treguar se pse kanë ngecuar negociatat dhe çfarë do të bëjë nëse Shqipëria nuk pranohet në BE.

Rama gjithshtu ka folur dhe për krizën si dhe pushtimin rus të Ukrainës.

Intervistë e Kryeministrit Edi Rama për median gjermane WELT: 

Lufta në Ukrainë ka rritur vigjilencën në Ballkan. Kryeministri shqiptar Edi Rama shpjegon pse është e rrezikshme për BE-në të mos anëtarësojë vendet e Ballkanit dhe përse ai i konsideron kritikat mbi politikat e mëparshme të Gjermanisë ndaj Rusisë si të padrejta.

Shqipëria ka vite që pret të nisë më në fund bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian, por deri tani kjo nuk ka ndodhur. Gjatë vizitës së tij në Berlin këtë javë, kryeministri Edi Rama i kërkoi Gjermanisë mbështetje në Bruksel. Në intervistë, 57-vjeçari shpjegon pse Ballkani ka një rëndësi qendrore për Evropën dhe se çfarë do të thotë lufta në Ukrainë për rajonin.

WELT: Zoti Rama, Angela Merkel ka mbështetur gjithmonë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE. Ju takuat këtë javë pasardhësin e saj, Olaf Scholz. A mendoni se ai do të ndjekë këtë linjë?

Kryeministri Edi Rama: Është interesante se sa ngjajnë Angela me Olaf Scholz. U ulëm në të njëjtën zyrë dhe më dukej sikur isha me të, i njëjti qëndrim, mënyra se si dëgjon, me shumë respekt, shumë efektive, bisedë fjalëpakë por me shumë substancë, një buzëqeshje e matur. Kancelari u tregua shumë i gatshëm për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë. Ngjante si mishërimi i Angela Merkel.

WELT: Katër vjet më parë, në një intervistë për WELT, ju thatë se ishte paradoksale që Shqipëria nuk ishte ende anëtare e BE-së. Deri më sot, negociatat e anëtarësimit nuk kanë filluar. Ku qëndron problemi?

Kryeministri Edi Rama: M’u desh ta pësoja për të marrë këtë mësim: nuk mjafton ta duash e t’i përkushtohesh BE-së, nuk mjafton që të bëjmë gjithçka që ajo kërkon për të dhënë pëlqimin e saj për martesë. Sepse nuk ka të bëjë me ne, por me ta. Komisioni Evropian ka katër vjet që ka dhënë dritën jeshile, por dikush në Këshillin e BE-së vazhdon të thotë jo dhe procesi ngrin sërish.

WELT: Pse ndodh kjo?

Kryeministri Edi Rama: Kjo ndodh për shembull, kur afrohen zgjedhjet kombëtare. Disa qeveri në BE janë pengje të narrativave nacional-populiste, si përshembull nëse BE-ja pranon një anëtar të ri, do shtohen gjithnjë e më shumë anëtarë të tjerë. Është një manovër taktike sepse kanë frikë nga opinioni publik.

WELT: Lufta kundër korrupsionit është një nga parakushtet për anëtarësimin në BE. Transparency International e rendit Shqipërinë ndër të fundit për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, në vendin e 110 nga 180 në 2021. A është vërtet vendi juaj gati për BE?

Kryeministri Edi Rama: Nuk i besoj kësaj transparence, sido që të jetë, asnjë sekondë. Ne kemi bërë kaq shumë përparim. Vetëm një shembull: Shqipëria ka dixhitalizuar tashmë 95 për qind të shërbimeve të saj. Kur u futa në politikë, asnjë shërbim nuk menaxhohej në mënyrë dixhitale. Njerëzit duhej të qëndronin në radhë për orë të tëra për të marrë një dokument. Gjithçka ishte e korruptuar. Si ka mundësi që kjo ecuri të mos përmirësojë renditjen tonë? Le të mos harrojmë edhe reformën tonë në drejtësi.

WELT: BE po diskuton borxhet e përbashkëta. Edhe në këtë kuadër, disa vende mund të hezitojnë të pranojnë një vend ekonomikisht të dobët si Shqipëria, veçanërisht pas pasojave ekonomike që la pandemia dhe tani lufta në Ukrainë…

Kryeministri Edi Rama: Shqipëria mund të mos jetë e pasur, por nuk duhet harruar se si të gjitha vendet e Ballkanit është vend i vogël. Ballkani ka shumë rëndësi gjeostrategjike. Është e rrezikshme për BE-në që vendet e Ballkanit të mos jenë anëtare. BE-ja do të ishte më e sigurt dhe më e fortë me to si pjesë e saj. Për momentin, BE-ja është i vetmi realitet gjeografik me një kufi të brendshëm, është si një njeri që vjen rrotull me plagën hapur. Kjo e bën të dobët dhe i duhet ta mbyllë këtë plagë për të mbrojtur veten. Një shembull: Gjatë krizës së refugjatëve në 2015, njerëzit erdhën nga Turqia në Greqi në BE, pastaj u larguan përsëri nga Bashkimi Europian përmes Maqedonisë, hynë në BE përmes Serbisë dhe më pas përmes Kroacisë. Nëse vendet e Ballkanit do të kishin qenë anëtarë të BE-së, do të kishte qenë shumë më e lehtë për të zbutur fluksin e refugjatëve, sepse Ballkani mund të ishte përdorur si një zonë parandalimi. Aplikimet do të ishin përpunuar atje dhe njerëzit do të ishin penguar të hynin në BE në mënyrë të rregullt.

WELT: Po sikur BE – e thënë me fjalët tuaja – të mos pranojë kurrë të martohet me Shqipërinë? Kur t’ju shterojë durimi dhe të filloni të kërkoni për një partner të ri, ndoshta pak më në lindje…

Kryeministri Edi Rama: Nëse BE-ja nuk pranon të martohet, ne do të plakemi pa u martuar kurrë. Ne do të jemi murgeshat e Evropës. Por ne kurrë nuk do të heqim dorë nga përpjekjet për t’u martuar me BE-në dhe me askënd tjetër.

WELT: Le të flasim për luftën në Ukrainë. Shqipëria merr shumë lëndë të para prej andej, por edhe nga Rusia. Çmimet e karburantit dhe grurit janë rritur, duke nxitur protesta masive gjatë muajit të kaluar. Si keni ndërmend të çliroheni nga kjo varësi?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi probleme me çmimet, por aktualisht po punojmë ngushtë me importuesit dhe vendet partnere për të siguruar furnizimin, që të mos ketë mungesa. Ka një urë të rëndësishme me Serbinë, e cila prej shumë vitesh furnizon me grurë kompanitë shqiptare. Ne kemi krijuar rezerva duke u dhënë importuesve tanë të ushqimit bazë një garanci se ata mund të blejnë më shumë se zakonisht dhe nuk do të kenë asnjë problem në periudhën afatmesme. Çmimet janë ende të larta, por nuk arrijnë deri në kupë të qiellit. Ne kemi prezantuar gjithashtu “Paketën e Rezistencës Sociale” që siguron fonde, në bazë të rritjes së çmimeve, për pensionistët dhe grupet e tjera vulnerabël, si dhe subvencione për kompanitë e transportit publik dhe fermerët. Këto masa i qetësojnë të gjithë.

WELT: Me luftën në Ukrainë, Putini po i afrohet Ballkanit me etjen e tij në dukje të pakufizuar për pushtet. A mendoni se Rusia mund të destabilizojë rajonin?

Kryeministri Edi Rama: Rajoni është i pambrojtur sepse ndikimi rus është shumë i fortë, jo në Shqipëri, por në Bosnje, Mal të Zi dhe veçanërisht në Serbi.

WELT: Serbia nuk e ka dënuar ende pushtimin e Ukrainës dhe po shfaq tendenca pro-ruse. Në të njëjtën kohë, Shqipëria mban marrëdhënie të ngushta me Serbinë, për shembull përmes nismës “Ballkani i hapur” për tregtinë e lirë. Sa larg duhet të shkojë Serbia drejt Rusisë që Shqipëria t’i jepte fund bashkëpunimit me të?

Kryeministri Edi Rama: Serbia nuk po shkon drejt Rusisë. Përkundrazi, në mënyrë të çuditshme, ajo mori anën e Perëndimit duke dënuar agresionin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Është një shenjë shumë e mirë që Serbia votoi tre herë kundër Rusisë. Nëse Serbia do të kishte bërë të kundërtën, do të ishte një goditje e rëndë për bashkëpunimin tonë.

WELT: Si e vlerësoni përfshirjen e Gjermanisë në luftën e Ukrainës?

Kryeministri Edi Rama: Më lejoni të jem i sinqertë me ju: Mendoj se kritikat ndaj Angela Merkel dhe Frank-Walter Steinmeier janë të gabuara. Mendoj se ata bënë gjënë e duhur duke komunikuar me Rusinë dhe Putinin. Ka arsye të mira historike dhe politike për të shkuar në këtë drejtim. Është për të ardhur keq që ata nuk arritën të zbatonin plotësisht marrëveshjen e Minskut për të parandaluar ndoshta këtë përshkallëzim, por unë nuk do t’i fajësoja ata. Aspak.

WELT: Kritikët thonë se nëse Gjermania do të kishte treguar një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, kjo e fundit nuk do të kishte shkuar kaq larg.

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam dakord me ju. Nuk është e drejtë, e as nuk më kujtohet që kritikët të kenë shprehur shqetësimet e tyre kaq fort para luftës. Nuk mendoj se Merkel apo Steinmeier ishin të butë me Putinin. Ata kurrë nuk i janë shmangur dënimit të Rusisë kur ishte e nevojshme.

WELT: Ndërkaq, ata këmbëngulën për ndërtimin e Nord Stream 2, edhe pas aneksimit të Krimesë.

Kryeministri Edi Rama: I qëndroj fjalëve të mia. Dhe të jem i sinqertë, kam frikë se koha do të tregojë se të gjithë ata që janë të ashpër me ta tani, e kanë gabim.

WELT: Çfarë doni të thoni?

Kryeministri Edi Rama: Dua të them që përshkallëzimi në Ukrainë nuk ka të bëjë me Nord Stream 2 apo me Gjermaninë që ishte e butë. Bëhet fjalë për një përshkallëzim prej humbjes së pushtetit në Moskë. Është në natyrën e këtyre lloj regjimeve të ndjekin atë rrugë. Kur një vend i madh shpenzon kaq shumë para për t’u bërë një fuqi ushtarake botërore, ndërsa është ekonomikisht i pafuqishëm, ai do të përdorë fuqinë e tij ushtarake. Sepse duhet të tregojë se rreziku është real dhe të shkosh në luftë është një gjë ekzistenciale. Regjimi ynë komunist shpenzoi shumë para për të ndërtuar gjysmë milioni bunkerë për të na bërë të ndiheshim të kërcënuar për jetën, ndërsa Shqipëria ishte e varfër sa më s’ka.

Në këto kushte, është e paarsyeshme të vijojnë argumentet se ne nuk duhet të ndihmojmë Ukrainën që të mbrojë hapësirën e saj ajrore, sepse Putini këtë mund ta merrte si një tjetër pretekst. Diktatorët si Putini, Hitleri dhe Stalini nuk kanë nevojë për një justifikim për të bërë ndonjë veprim. Ata e krijojnë një të tillë vetë kur u nevojitet. Perëndimi nuk duhet të frikësohet, ne duhet t’i japim Ukrainës avionë dhe tanke në mënyrë që ata të mbrojnë vetë qiellin dhe vendin e tyre.


Shtuar 20.04.2022 15:02

Tags: