Afrohet Lufta III, Trump rishikon paktin me Jugun
Pëlqej
Një traktat, i cili kufizon numrin e raketave balistike të lejuara për Korenë e Jugut, do të rishikohet në përgjigje të kërcënimit nga Kim Jong-uni.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka rënë dakord me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, për të rishikuar një traktat të përbashkët që kufizon zhvillimin e raketave balistike të Jugut.

Trump gjithashtu dha miratimin në parim për blerjen nga Jugu të miliarda dollarëve të pajisjeve ushtarake amerikane, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Koreja e Jugut dëshiron të rrisë numrin e raketave për të shtuar mbrojtjen e saj kundër Koresë së Veriut, e cila po ndjek programet e armëve bërthamore dhe raketave në kundërshtim me paralajmërimet ndërkombëtare dhe sanksionet e OKB-së.

“Të dy udhëheqësit ranë dakord në parim për rishikim të udhëzuesit të raketave në një nivel të dëshiruar nga Koreja e Jugut, duke ndarë mendimin se ishte e nevojshme për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Koresë së Jugut në përgjigje të provokimeve dhe kërcënimeve të Koresë së Veriut”, u njoftua nga Shtëpia Blu presidenciale e Koresë së Jugut.

Koreja e varfëruar e Veriut dhe Jugu i pasur dhe demokratik janë ende teknikisht në luftë, sepse konflikti i viteve 1950-53 përfundoi me armëpushim dhe jo me një traktat paqeje. Veriu kërcënon rregullisht të shkatërrojë Jugun dhe aleatin kryesor të tij, Shtetet e Bashkuara. Koreja e Veriut ngriti tensionin rajonal këtë javë me nisjen e raketës së saj, Hëasong-12, që fluturoi mbi Japoni dhe ra në Paqësor.

Kjo gjë pasoi nisjen e testimit të dy raketave balistike me rreze të gjatë në korrik, në një trajektore të dukshme, prej 10,000 km ose më shumë, që do të vendoste shumë pjesë të kontinentit amerikan brenda rrezes së goditjes.

Koreja e Veriut po punon për të zhvilluar një raketë bërthamore të aftë për të goditur Shtetet e Bashkuara dhe kohët e fundit ka kërcënuar të lëshojë raketa pranë territorit amerikan, ishullit Guam në Paqësor.

Zhvillimi i raketave balistike të Koresë së Jugut është i kufizuar në një distancë prej 800 km dhe peshë të ngarkesës prej 500 kg, nën një traktat dypalësh të rishikuar në 2012. Koreja e Jugut ka thënë se dëshiron të rishikojë marrëveshjen për të rritur ngarkesën.

Të dyja vendet ranë dakord për limitin si pjesë e një angazhimi për një pakt vullnetar ndërkombëtar të kontrollit të armëve, të njohur si Regjimi i Kontrollit të Teknologjisë së Raketave, me qëllim kufizimin e raketave dhe përhapjes së armëve bërthamore.

Të dy liderët u zotuan të vazhdojnë të ushtrojnë presion të fortë diplomatik dhe ekonomik në Korenë e Veriut dhe të bëjnë të gjitha përgatitjet e nevojshme për t’u mbrojtur kundër kërcënimit në rritje nga Veriu, sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë.

Nuk u përmend marrëveshja dypalëshe vullnetare, por u tha se të dy liderët ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin e tyre të mbrojtje dhe aftësitë mbrojtëse të Koresë së Jugut. Trump-i “siguroi miratimin e tij konceptual të blerjeve të planifikuara nga Koreja e Jugut me miliarda dollarë për pajisje ushtarake amerikane”, njoftoi Shtëpia e Bardhë. /albeu.com/
Shtuar më 03/09/2017, ora 09:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori