A është ky fundi i Gjermanisë së Merkel?
Pëlqej
Thuajse dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani, bisedimet ndërpartiake kishin për qëllim formimin e një koalicioni trepalësh, midis Kristian Demokratëve të Angela Merkelit, partisë Liberal Demokrate dhe partisë ekologjiste.

Liberal Demokratët deklaruan se ishte e pamundur të arrihej një kompromis përsa i përket refugjatëve dhe çështjeve të mjedisit.
Tre skenare mund të ndodhin në Gjermani tani.

E para, Merkel mund të përpiqet të formojë një koalicion me Social Demokratët e opozitës, opsion i cili është përjashtuar në shtator nga kjo parti.

E dyta, kancelarja mund të formojë një qeveri pakice, me sa duket me vetëm një parti tjetër. Kjo do të ishte hera e parë që Gjermania e pasluftës do të kishte një qeveri pakice.

E treta, mund të thirren zgjedhje të reja.

Sipas The Guardian, ky është një moment i rëndësishëm për Gjermaninë, pasi secili prej këtyre skenarëve prodhon pasiguri të konsiderueshme politike në ekonominë më të madhe të kontinentit. Ndryshimet do të ndjehen jo vetëm në Gjermani.

Është e sigurt se qasja e Bashkimit Europian ndaj shumë çështjeve do të ndryshojë. Unioni mund të rindërtojë projektet për eurozonën, sigurinë, krizën e refugjatëve, ndërhyrjet e supozuara të Vladimir Putin, marrëdhëniet me Turqinë, krizën në Poloni e Hungari dhe çështjen Brexit. Të gjitha këto duan vëmendje, të cilën Gjermania e Merkel e influenconte vazhdimisht.

Më shumë se çdo gjë tjetër, kriza politike në Gjermani shënon rënien e ndikimit të brendshëm të Angela Merkel, pas 12 vitesh në pushtet. Kjo rënie e saj ndikohet nga disa faktorë, ku më signjifikanti është kriza e refugjatëve në 2015-tën, që tronditi lidershipin e saj.

Merkel doli më dobët se kurrë në zgjedhjet e 24 shtatorit, me 33% të votave. Edhe pse CDU-ja e saj la partitë e tjera prapa, votuesit gjermanë i dhanë për herë të parë 6 partive të tjera karrige në Bundestag.

Votuesit konservatorë ndikuan në ngritjen e partisë së ekstremit të djathtë, AFD. 13% të votave që ekstremistët e djathtë fituan, i siguruan atyre 94 vende në Bundestag.

Sipas The Guardian, zgjedhjet e reja, nëse zhvillohen, do të mund të shënonin edhe fundin e karrierës së gjatë politikeAngela Merkel.

Ka spekulime se CDU-ja e Merkel mund të kërkojë zëvendësimin e saj si kryetare. Edhe nëse kjo gjë ndodh, është shumë e paqartë se kush mund të ishte kryetari i ri i CDU-së.

Bisedimet ndërpartiake në Gjermani u bënë më komplekse nga fakti se një koalicion tre-palësh nuk ishte tentuar më parë në nivel kombëtar.

Liberalët e FDP-së, të cilët kishin qenë partnerët e vegjël të Merkel nga viti 2009 deri në vitin 2013, dëshironin të siguroheshin që këtë herë të mos e ‘shisnin’ veten lirë. Kryetari i tyre, Christian Lindner u largua të dielën nga bisedimet duke thënë: “Më mirë të mos qeverisësh sesa të qeverisësh keq”.

Ndërsa po kërkon për partner, Merkeli teorikisht ka mundësinë të kërkojë të zgjasë ‘koalicionin e madh’ me social demokratët. Por që ky skenar të realizohej, do të duhej që krerët e partive të bënin një kthesë 180 gradë nga premtimi i tyre në shtator, se SPD-ja do të qëndronte në opozitë. Kjo nuk duket fare e mundshme.

Skena politike e paparashikueshme gjermane do të thotë që BE-ja do të lodhet edhe më shumë që të adresojë çështjet e saj kyçe.

Në Francë, Emmanuel Macron nuk mund të jetë më i sigurt se do të mund të ndërtojë një ‘motor’ të fortë franko-gjerman me ndihmën e Angela Merkel për të nxitur reformat qeverisëse të eurozonës.

Edhe pse partitë kryesore gjermane janë shumë të fokusuara mbi negociatat e Brexit, pasiguria politike në vendin e tyre do t’i largojë vëmendjen nga tërheqja e Mbretërisë së Bashkuar nga eurozona, shkruan Lapsi.al

Politikat gjermane kanë qenë shpesh kontradiktore në Europë, por roli i Angela Merkel në gjetjen e zgjidhjeve, qoftë me Turqinë, migracionin, apo edhe me sanksionet ndaj Rusisë, ka qenë shpesh vendimtar. Dështimi i negociatave në Berlin mund të jetë fillimi i kohëve shumë të vështira për Europën. /albeu.com/
Shtuar më 21/11/2017, ora 23:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori