Policia shkatërron bandën e hajdutëve në Itali, në pranga tre “skifterët” shqiptarë

Ditët e para të korrikut, mes zonave Bolognese dhe Modenese, janë kryer rreth 10 vjedhje dhe sendet e marra ishin bizhuteri dhe para.

Pas këtij shqetësimi të banorëve të zonës, policia ka arritur të vërë në pranga tre shqiptarë, nga mosha 26-27 vjeç, të cilët funksiononin si bandë.

Skema e tyre e vjedhjes ishte e njëjtë, raportojnë mediat italiane, ata thyenin dyert dhe dritaret e banesave me pajisje ndërtimi, merrnin çfarë të gjenin dhe largoheshin me makinat që mbanin targa të vjedhura.

Pasi policia ra në gjurmët e tyre, njërin e arrestoi në shtëpi, ndërsa dy të tjerët në një hotel.

Gjatë kryerjes së ndalimeve u sekuestruan veshje të ndryshme, një pjesë e plaçkës (para dhe sende me vlerë) dhe një nga makinat me targë origjinale spanjolle, që përdorej për lëvizjet e ndryshme. U gjetën edhe disa fatura që konfirmonin dërgimin e fundit të parave në Shqipëri, të përfituara si rezultat i shitjes së bizhuterive të vjedhura. Për dy prej tyre është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa ndaj njërit “arrest shtëpie”./albeu.com