Legjenda e “Djajve të Kuq”, për gafën e De Geas: Do ta kisha vrarë (VIDEO)

David De Gea ishte protagonist negativ në ndeshjen që Manchester United luajti kundër Evertonit (përfundoi barazim 1-1).

Portieri spanjoll bëri një gabim të pafalshëm në fillim të ndeshjes pasi priti shumë me topin në këmbë brenda zonës, duke i dhënë mundësinë sulmuesit të “Toffees”, Calvert-Lewin, ta bllokonte në kohë goditjen e “gardianit”, me topin që u kthye në rrjetë.

Për këtë gafë të De Geas ka reaguar ashpër ish-futbollisti i “Djajve të Kuq”, Roy Keane, që punon si analist në një televizion anglez.

“Si trajner ose si lojtar do ta kisha vrarë atë. Do ta kisha vrarë atë! Thjesht u vonua shumë, çfarë po priste?”

Keane e vijoi më tej sulmin ndaj portierit spanjoll:

“Mendoj se minimalisht u tregua arrogant. Nëse duhet të marrësh një vendim, duhet ta marrësh shpejt. Këto janë momente shumë të rëndësishme për United, pasi bëhet fjalë për ta përfunduar në katër vendet e para dhe nëse ke një portier me përvojë … çfarë po pret? Më mirë të heshtë!”


Shtuar 2.03.2020 16:18