60 vjet pas bombardimit, Hiroshima përkujtoi bombën bërthamore
Albeu.com
Në qytetin e Hiroshimës, 60 vjet pas hedhjes së bombës së parë atomike në botë, janë zhvilluar një varg ceremonish përkujtimore.Rreth 50 mijë veta u mblodhën në Parkun e Paqes në qytet, në mesin e të cilëve kishte edhe të mbijetuar nga bombardimi dhe të afërm të 140 mijë personave që humbën jetën me atë rast.

Fëmijë dhe të rritur vendosën lule në një memorial për viktimat, pastaj ranë këmbanat për ta kujtuar momentin e shpërthimit të bombës, ndërkohë që të pranishmit mbajtën një minutë heshtje në nderim të viktimave.

Gjatë ceremonisë, mbi 5 mijë emra të rinj iu shtuan listës së të vdekurve nga bombardimi dhe të atyre fati i të cilëve nuk dihet.

Një korrespondent i BBC-së thotë se numri i vërtetë i viktimave të Hiroshimës nuk ka për t'u ditur kurrë.

Reflektime

Kryetari i bashkisë së qytetit, në fjalimin e tij akuzoi pesë fuqitë e shpallura bërthamore dhe Indinë, Pakistanin e Korenë e Veriut, se po vënë në rrezik mbijetesën njerëzore.

Kryeministri japonez përsëriti opozitën e vendit të tij ndaj armëve bërthamore duke u lutur në të njëjtën kohë për të vdekurit.

Por kryetari i dhomës së ulët të parlamentit i bëri Japonisë një apelim kundërthënës, duke kërkuar që vendi të mos i rikthehej militarizmit të së shkuarës.

"Në bëmë një gabim kur zgjodhëm rrugën tonë në Azi dhe ndoqëm atë drejt luftës, tha ai. Sulmi atomik ishte rezultat i vendimit të Japonisë për të luftuar komunitetin ndërkombëtar," tha ai.



Paralajmërim

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, 60 vjet pas bombardimit të Hiroshimës ka paralajmëruar se bota po përballet me përhapje të armëve bërthamore.

Në një deklaratë të lexuar prej zëdhënësit të tij në ceremoninë përkujtimore në Hiroshima, z. Annan shpreh keqardhje për përparimin e vogël që është bërë në luftën ndaj përhapjes së armëve bërthamore.

Pasojat historike të sulmit të Hiroshimës janë ende duke u debatuar.

Amerikanët thonë se sulmi solli fundin e Luftës së Dytë Botërore, por disa historianë thonë se Japonia ishte mundur para se të hidhej bomba, shkruan BBC.
Radio Kosova
Shtuar më 07/08/2005, ora 16:47
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori