Henry Kissinger është 100 vjeç, por trashëgimia e tij e dikton ende mënyrën se si funksionon politika e jashtme e SHBA-së

Nga Jonathan Guyer “Vox

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Trashëgimia e Henry Kissinger si strateg i Luftës së Ftohtë, këshilltar me ndikim i presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford, vazhdon edhe sot, edhe pse se ai ka qenë jashtë detyrës për shumë më gjatë sesa në qeveri, dhe po jeton më shumë se kolegët e tij.

Pavarësisht nga rekordi i tij për përjetësimin e mizorive në mbarë botën, prej tij kërkohen ende këshilla se si do të mbarojë lufta në Ukrainë apo si të shmanget konflikti SHBA-Kinë. Gjatë administratës Nixon, Kissinger rilidhi marrëdhënie me Kinën komuniste, dhe ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjeve të kontrollit të armëve me Bashkimin Sovjetik.

Por nga ana tjetër zgjati Luftën e Vietnamit, dhe e shtriu konfliktin në Laos dhe Kamboxhia. Rreth 150.000 civilë kamboxhianë u vranë, një shifër shumë me e lartë sesa mendohej më parë, kur Kissinger urdhëroi bombardimet e rënda nga viti 1969 e tutje.

Ndërkohë Kissinger mbështeti liderët në Pakistan dhe Indonezi, edhe pse secili kishte vrarë  200.000 njerëz në territoret fqinje, ushtrinë e Argjentinës teksa ajo zhduku dhjetëra mijëra njerëz, dhe përkrahu grushtin e shtetit të gjeneralit Pinochet në Kili. Mbi rekordin e tij është shkruar shumë.

Por 3 aspekte të trashëgimisë së tij – centralizimi i fuqisë së politikë-bërjes së jashtme në Shtëpinë e Bardhë, shmangia e të kërkuarit falje për veprimet e tij destruktive dhe korporatizimi i politikës së jashtme – janë trajtuar më pak. Ato përmbledhin më së miri mënyrën sesi funksionon Amerika si superfuqi në vitin 2023.

Kissinger e centralizoi në Shtëpinë e Bardhë vendimmarrjen mbi politikën e jashtme

Kissinger bëri një deklaratë të rëndësishme pak kohë më parë. “Gati në çdo administratë, në politikën e jashtme, detyrat më të ndjeshme i jepen këshilltarit të sigurisë dhe jo Sekretarit të Shtetit”- tha ai. Ky është një zhvillim, të cilin ai ndihmoi që të përparonte, duke u mbështetur tek e kaluara e këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit John F.Kennedy, McGeorge Bundy, i cili gjithashtu nisi të përqendrojë fuqi të reja brenda Shtëpisë së Bardhë.

Falë Kissinger, këshilltari i sigurisë kombëtare mbetet elementi më i rëndësishëm i politikës së jashtme. Ai e konsolidoi punën e këshilltarit të sigurisë kombëtare dhe kryediplomatit të vendit, duke shërbyer në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas si Sekretar i Shtetit.

Që nga ajo kohë përqendrimi i politikë-bërjes së jashtme midis stafit të presidentit, dhe larg Departamentit të Shtetit, ka zgjatur në administratat demokratike dhe republikane. Po ashtu, ai e reformoi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke e zgjeruar aparatin këshillues të presidentit.

Në biografinë e Kissinger të vitit 1974, Marvin dhe Bernard Kalb e quajtën atë “makineria e mrekullueshme e Henry”, duke vënë në dukje se ajo punoi për të “centralizuar politikën e jashtme në Shtëpinë e Bardhë, dhe për të shpërfillur apo mbyllur gojën kundërshtarëve brenda burokracisë – përfshirë Sekretarët e Shtetit dhe të Mbrojtjes…”.

Kissinger nuk kërkoi kurrë falje për veprimet jashtë shtetit, dhe pak liderë amerikanë e bëjnë këtë edhe sot

Në vitin 2001, studiuesi Christopher Hitchens shkroi në librin “Gjyqi ndaj Henry Kissinger” se ai është përgjegjës për krime lufte. Në atë kohë, Kissinger kërkonte garanci përpara se të jepte intervista në media se nuk do të pyetej për Luftën e Vietnamit. Kissinger ka zbatuar moton “mos kërko falje, thjesht posto në Twitter”.

Dhe kjo është pjesë e mënyrës sesi janë sjellë dhe mbijetuar Reagan, Bush dhe Trump. Pra Kissinger ishte modeli tipik, sesi mund të luash në politikën e jashtme si në një lojë shahu, duke mos qenë i detyruar të përgjigjesh brenda vendit mbi pasojat katastrofike në vende të tjera.

Dhe kjo qasje ka pasur një ndikim të madh në mënyrën se si udhëheqësit janë sjellë më pas në nivel ndërkombëtar. “Metodat e përdorura nga Nixon dhe Kissinger për të anashkaluar shqyrtimin demokratik të politikës së jashtme janë bërë standarde që nga ajo kohë. Ato u përdorën më së afërmi për të diskredituar kritikët dhe përhapjen e dezinformatave rreth pushtimit të Irakut”- ka shkruar historiani Greg Grandin.

“Ai nuk na kërkoi kurrë ndjesë”- më tha Carolyn Eisenberg, profesore e historisë në Universitetin Hofstra. Dhe kjo tregon shumë për establishmentin e politikës së jashtme. Në një konferencë të organizuar nga Biblioteka Kenedi në vitin 2006 mbi Luftën në Vietnam, moderatori Brian Williams moderoi një panel ku merrte pjesë edhe Kissinger.

Në një moment e pyeti këtë të fundit:”A ka ndonjë gjë për të cilën do të dëshironit të kërkoni falje?”. Eisenberg e rrëfen këtë skenë në epilogun e librit të saj të ri “Zjarri dhe shiu:Nixon, Kissinger dhe luftërat në Azinë Juglindore”. Por Kissinger e quajti pyetjen “shumë të papërshtatshme”. “Ne duhet ta nisim analizën me supozimin se njerëz seriozë po merrnin vendime serioze, duke pasur në zemër interesin kombëtar dhe atë botëror”- tha ai.

Kissinger e korporatizoi politikën e jashtme të SHBA-së

Gjatë gjithë karrierës së tij, Kissinger e ka lidhur komunitetin e biznesit me elitën e politikës së jashtme. Në vitin 1982, ai themeloi “Kissinger Associates”, ku punësoi disa nga kolegët e tij më të plotfuqishëm nga aparati i sigurisë kombëtare. Ata u përpoqën të mbanin sekret listën e klientëve të tyre, edhe kur Kongresi kërkoi të dhëna.

Më vonë gazetarët zbuluan se kompania këshillonte bankat e mëdha, korporatat shumëkombëshe dhe institucionet financiare, mes tyre American Express, Anheuser-Busch, Coca-Cola, Heinz, Fiat, Volvo, Ericsson dhe Daewoo. “Për shembull, një klient, Korporata ITT, një korporatë me vlerë 9 miliardë dollarë, me rreth 7 për qind të biznesit të saj vjetor në kontrata ushtarake, drejton sisteme të ndryshme raketore të Shteteve të Bashkuara sipas një kontrate prej 700 milionë dollarësh”- raportoi New York Times.

Po ashtu Kissinger shërbeu si një kanal ndërmjet biznesit të madh dhe Kinës. Kur e krijoi kompaninë e tij të konsulencës 4 dekada më parë, gazetarët ngritën të njëjtat pyetje që ngre unë sot:A është etike që një ish-zyrtar i lartë të vazhdojë të shërbejë në bordet këshillimore federale që i japin rekomandime politikave Pentagonit, Departamentit të Shtetit ose presidentit, duke këshilluar gjithashtu edhe kompanitë që ka të ngjarë të përfitojnë nga ato vendime gjeopolitike?

Kissinger ndihmoi në normalizimin e të qenit konsulent për biznesin e madh dhe një zë i politikave publike. Edhe pasardhësit e tij e kanë ndjekur këtë prirje. Brent Scowcroft punoi si nënkryetar i “Kissinger Associates”, përpara se të bashkohej me administratën e George HË Bush si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe më vonë krijoi kompaninë e tij.

Ish-sekretarja e shtetit Madeleine Albright, ish-sekretari i mbrojtjes William Cohen dhe këshilltarja e sigurisë kombëtare Sandy Berger, pasi shërbyen në administratën e Clinton, themeluan secili kompaninë e tyre të konsulencës. Edhe ish-zyrtarët e kabinetit Bush, Condoleezza Rice dhe Robert Gates krijuan një kompani së bashku.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 29.05.2023 13:52

Tags: