Sot mblidhet Këshilli i Mandateve, avokatët e Ahmetajt kërkesë: Të shtyhet për nesër

Avokatët e Arben Ahmetaj, për të cilin SPAK ka kërkuar të arrestohet, kanë kërkuar që Mbledhja e Mandateve e planifikuar për sot, ora 16:00 të shtyhet për nesër.

Avokatët kanë thënë se kërkojnë shtyrje të Mbledhjes për shkak të dosjes voluminoze. Për procedurë deputetët mund të mblidhen sot, mirëpo kërkesa e avokatëve do të qëndroj e njëjtë.

Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit në Shqipëri (SPAK) ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit të Financave dhe deputetit aktual të Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj.

Kërkesa mban datën 7 korrik dhe nënshkrimin e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. SPAK thekson se kërkon autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë, për arrestimin ose heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit.
Arben Ahmetaj akuzohet për “Mosdeklarim apo fshehje të pasurive”, “Korrupsion pasiv” si dhe “Pastrim parash”.

Hetimet ndaj Arben Ahmetajt nisën në vitin 2022 dhe Prokuroria e Posaçme thekson se “vazhdon hetimi në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar”.

Ahmetaj akuzohet për procedurat e ndjekura për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.
Në vitin 2015 qeveria akordoi një kontratë për ndërtimin e këtij incineratori me procedurë emergjente. Djegësit masivë të mbeturinave, në Shqipëri njihen si inceneratorë.

Shkresa e drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani për Kuvendin e Shqipërisë thekson nevojën “për të ruajtur sekretin hetimor” dhe kërkon që procedura e shqyrtimit të dokumenteve nga Këshilli i Mandateve të bëhet pa praninë e publikut për shkak se, “hetimet vijojnë për persona dhe fakte të tjera”.
Pas kësaj kërkese pritet mbledhja e Këshilli të Mandateve të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas rregullores së Kuvendit, kryetarja e institucionit, Lindita Nikolla, vë në dijeni Këshillin e Mandateve dhe Rregullores të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK.

Brenda 2 javësh duhet të hartohet një raport që do të kalohet në kuvend. Raporti do të hidhet në votim dhe do të vendoset nëse do të pranohet apo jo dhënia e autorizimit për kërkesën e SPAK. Votimi në Kuvend bëhet i hapur./albeu.com/


Shtuar 11.07.2023 12:41