100-diteshi i Obames
Albeu.com
Dje, Presidenti amerikan, Obama, mbushi 100 ditë nga marrja e postit presidencial, që pati një fillesë shumë entuziaste me deklarimin e mënyrave të reja të menaxhimit të ekonomisë dhe politikës së jashtme të vendit.Disa kanë përfituar nga kjo datë për të marrë në shqyrtim politikat e Obamës, edhe pse të gjithë janë të ndërgjegjshëm që është ende herët për të thënë diçka konkrete në lidhje me suksesin apo disfatën e listës së gjatë të iniciativave të ndërmarra nga ai. Në këtë ditë vjen lajmi se ekonomia amerikane është tkurrur në tremujorin e saj të parë në masën 6.1 për qind, ose më shumë nga sa parashikohej e kryesisht për shkak të rënies së eksporteve. Edhe pse "100-ditëshi" është një përvjetor i krijuar më së shumti nga media botërore, Shtëpia e Bardhë nuk e ka humbur rastin që të nënvizojë ngjarjet më kryesore të kësaj periudhe të shkurtër. Me këtë rast,
edhe Obama ka dhënë një konferencë për shtyp. Presidenti popullor, që ka një shkallë përkrahjeje të popullit mbi 60 për qind, e ka përdorur këtë datë për të nxitur edhe më axhendën e tij në lidhje me ndryshimet në fushën e kujdesit shëndetësor, ndreqjen e sektorit bankar, shpëtimin e kompanive automobilistike amerikane, luftën kundër ngrohjes globale dhe aktivizimin e Amerikës në arenën ndërkombëtare. Të mos harrojmë edhe situatën me gripin e derrave, që sot ka shënuar edhe viktimën e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithsesi, kjo nuk do të eklipsojë vendimin presidencial për të bërë publike dokumentet e klasifi kuara të mënyrave të hetimit ndaj terroristëve të dyshuar në periudhën e administratës së Bushit. Në fjalën e tij, Obama u shpreh se vendi kishte nisur të lëvizte në drejtimin e duhur gjatë 100 ditëve të fundit. Tradita e 100 ditëve për presidentët amerikanë daton periudhën presidenciale të Ruzvelt, që trumbetoi aftësinë e tij për të miratuar 15 ligje të rëndësishme brenda tre muajve të parë presidencialë, që kishin të bënin me zgjidhjen e problemeve të Depresionit të Madh. Megjithatë, askush nuk pret magjira 100 ditët e para, edhe pse në njëfarë mënyre krijohet një përshtypje fillestare, që ndoshta më vonë mund të dalë një zhgënjim. Sipas disa analistëve, muajt e parë të Obamës kanë nxjerrë në pah mënyrën e tij të qeverisjes, përfshi sjelljen gjakftohtë e të matur dhe efektivitetin në komandimin e situatave të ndryshme, por njëherazi edhe dëshirën për të zgjidhur shumë çështje të komplikuara njëherazi. Deri më tani, presidenca e Obamës ka miratuar një ligj që lejon lëvrimin e 787 milionë dollarëve, pjesë e një programi stimuli ekonomik, ka lançuar një reformë të sektorit të shëndetësisë, ka marrë vendime për përmirësimin e marrëdhënieve me Iranin dhe Kubën, si dhe ka paraqitur strategjitë e reja të luftës në Irak dhe Afganistan.
Shtuar më 30/04/2009, ora 20:45
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori