Policia britanike 5000 paund shpërblim për “kokën” e shqiptarit, dyshohet se abuzoi me një adoleshente

Një 21-vjeçar shqiptar i identifikuar si Ron Domi është në arrati pasi akuzohet për përdhunimin e një vajze adoleshente.

Sipas medieve britanike ai mund të jetë në veri të Londrës.

Teksa cilësohet si një ndër 5 më të kërkuarit në Britani për shkak të një sulmi seksual, ofrohen edhe para në këmbim të informacionit për të. Policia e Bedfordshire i ka bërë apel qytetarëve që kanë informacion dhe ka ofruar një shpërblim deri në 5,000 £.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 tetor të vitit të kaluar, në zonën Bramingham Woods ndërsa i riu është ende në liri.

Sic shkruajnë mediat britanike, Domi ka lidhje me Edmonton dhe zona të tjera në veri të Londrës. Ai gjithashtu thuhet se ka lidhje të forta me Shqipërinë.

Ron Domi përshkruhet se ka trup të dobët, me flokë të errët të drejtë dhe me mjekër. Domi besohet të njihet gjithashtu me pseudonimin Alex Brussels. Krahas tij në ‘pesë më të kërkuarit’ janë të tjerë të akuzuar për vrasje, tentativë përdhunimi, shpërndarje droge në shkallë të gjerë dhe pastrim parash.

Drejtori i operacioneve të Crimestoppers, Mick Duthie tha: “Këta individë të kërkuar kanë arritur t’i shmangen drejtësisë për një kohë të gjatë. Janë rrezik dhe duhen gjetur. Këta të arratisur mund të jetojnë ose fshihen pranë jush, kështu që nëse njihni ndonjë prej tyre, ju lutemi na kontaktoni urgjentisht. Nëse jeni të interesuar për një shpërblim deri në 5,000 £, kërkoni një kod unik shpërblimi kur të kontaktoni.”/Albeu.com/


Shtuar 8.03.2023 22:18