Trageti i mbytur në K.Jugut nuk dislokoi varkat e shpëtimit (VIDEO LAJM)
Trageti i përmbysur dje në ujrat e ftohta koreano-jugore kishte rreth 46 varka shpëtimi, por vetëm një prej tyre është dislokuar.

287 pasagjerë që ishin në anije rezultojnë ende të zhdukur.

Një video e publikuar nga JTBC tregon të paktën 12 prej kapsulave të bardha, ku vendosen varkat e shpëtimit, të cilat ishin ende të bashkangjitura me tragetin, edhe pse ai vazhdon të jetë i përmbysur në njërin krah.

Më shumë se 24 orë kanë kaluar që kur trageti prej 6800 ton u mbyt në det mëngjesin e djeshëm. Deri tani 9 persona rezultojnë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa rreth 179 janë shpëtuar.

Por, askush nuk di nëse 287 personat e zhdukur janë ende gjallë, ndoshta janë në anije, apo kanë rënë në ujrat e ftohta prej afro 10 gradë celcius.

Kur kapiteni i tragetit u pyet nëse kishte diçka për t’i thënë familjarëve të pasagjerëve të humbur ai shpërtheu në lot.

“Më vjen keq, nuk mund të gjej fjalë për t'u shprehur në këtë moment”, tha kapiteni Lee Joon Suk. Ai tashmë përballet me akuzat e neglizhencës dhe vrasjeve aksidentale.

Ndërkohë kërkimet po pengohen nga moti i keq në një moment mjaft delikat për jetët e personave të zhdukur e që mund të jenë ende gjallë. Ndërkohë që rriten shqetësimet nga ana e familjarëve të tyre.

Zhytësit ushtarakë kanë luftuar me erën e fortë dhe dallgët për të arritur të hyjnë në tragetin e fundosur. Tre prej tyre gati sa nuk humbën jetën pasi u morën nga rrymat, por fatmirësisht u shpëtuan nga një anije peshkimi.

Me gjithë motin e keq kërkimet vazhdojnë të pandërprera, dhe janë përfshirë më shumë se 500 zhytës, 169 anije dhe 29 avionë.

Por, familjarët e të zhdukurve janë mbledhur në një ishull të afërt me zonën e katastrofës këmbëngulin se duhet bërë më shumë për të nxjerrë njerëzit e tyre prej tragetit të përmbysur. /albeu.com/
Shtuar më 17/04/2014, ora 13:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori