Princesha serbe do të promovojë Maqedoninë
Princesha serbe Jelisaveta Karagjorgjeviq, pasardhëse e dinastisë famëkeqe për shqiptarët – Karagjorgjeviqët, ka marrë ofertë për të promovuar Maqedoninë nga Agjencia maqedonase për promovim dhe përkrahje të turizmit. Një ofertë të tillë ajo e ka marrë gjatë panairit të paradokohshëm të turizmit në Beograd.

Që të jetë ironia më e madhe, promotorja e re e turizmit të Maqedonisë deri tani asnjëherë nuk ka qëndruar në Maqedoni, kurse familja e saj mbretërore ka status krejtësisht të margjinalizuar në Serbi.

Kjo ofertë vjen në kohën e anashkalimit gati të plotë të shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët nuk munden të fitojnë rast të promovojnë Maqedoninë jo vetëm në turizëm, por as në sferën e bizneseve tjera, apo kulturës.

“Me kënaqësi të madhe e kam pranuare ofertën të jem mysafire speciale e Agjencisë për promovimturizmit në muajin maj dhe prej së afërmi t’i përjetoj bukuritë e Maqedonisë”. ka deklaruar ajo për gazetën maqedonase “Utrinski Vesnik”.

Në Agjencinë për turizëm nuk kanë bërë të ditur nëse do t’i paguhet honorar princeshës serbe për këtë promovim. Mirëpo nuk është e qartë se çka mund të promovojë princesha serbe në Maqedoni, kur dihet se dinastia Karagjorgjeviqët është e njohur edhe për rolin e tyre negativ ndaj maqedonasve.

Të vetmen gjë pozitive të cilën maqedonasit ia dedikojnë dinastisë Karagjorgjeviq është fakti se gjatë sundimit të tyre “Shën Naumi” i është marrë Shqipërisë dhe i është bashkangjitur mbretërisë së atëhershme Serbo-Kroato-Sllovene, që pas luftës së dytë botërore t’i takojë Maqedonisë.
Shtuar më 05/03/2012, ora 20:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori