Pas ndarjes, Flori “injoron” Sonin
Albeu.com
Puthja në skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve gjatë natës kur zhvillohej “Kënga Magjike”, kishte vulosur lidhjen e tyre. Këtë herë, skena zhvendoset në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, ku një puthje e tillë mungoi, madje shkaktoi shumë psherëtima. Është fjala për dy këngëtarët më të përfolur të momentit, Soni Malaj dhe Flori, ku këtë herë më shumë se kurrë konfirmohet ndarja mes çiftit të famshëm. Gjithçka ka ndodhur në skenën në qendër të Prishtinës, ku zhvillohej dhe “Video Fest” 2008. Pas performimit, Soni ka mbetur në të për disa minuta duke pritur puthjen e një vullnetari nga publiku, në mesin e të cilëve ishte edhe Flori, por atë e mori nga dikush tjetër. Vitin e kaluar, ajo në “Video Fest” kishte fituar çmimin “Best Female”, por meqë nuk ishte e pranishme për ta marrë çmimin, një puthje kishte mbetur “peng” për të, nga kushdo që do t’ia dorëzonte trofeun. Udhëheqësi i spektaklit nuk kishte harruar dhe ftoi dikë nga publiku që ta puthe Sonin. Dhe të gjithë të pranishmit sytë i kthyen nga Flori, i cili ndodhej diku në rreshtat e parë të podiumit. E ndërsa të gjithë thërrisnin me ovacione, Flori as që begenisi të ngrihej nga poltrona në të cilën ishte ulur për t’i plotësuar dëshirën fansave apo edhe thjesht kuriozëve, të cilët sapo konstatuan që tashmë mes vajzës simpatike dhe Florit nuk kishte më asgjë.
Për ta nxjerrë Sonin nga situata shumë e vështirë dhe e sikletshme, e cila priste në skenë pa lëvizur, por edhe për ta lehtësuar pozitën e Florit, të cilit po i bëhej disi presion nga publiku, është ngritur Gazmend Avdiu, pronari i produksionit “Pixel”, dhe ka puthur Sonin në të dy faqet, duke e relaksuar paksa situatën. Kjo situatë nuk ka qenë aspak e këndshme, ndërsa e skuqur, Soni ka përjetuar ndoshta disa nga momentet më të këqija në të cilat mund të jetë ndodhur ndonjëherë në skenë.
Mbërritja
E në fakt, që në fillim të natës finale të “Video Fest” 2008, Flori dhe Soni kanë ardhur të ndarë, veç e veç nga njëri-tjetri. Flori ka kaluar në tapetin e kuq me këngëtaren, njëkohësisht dhe mikeshën e tij, Elvana Gjata, ndërsa askush nuk e ka parë Sonin në kohën që ka deportuar në sallë. E ndërsa Elvana dhe Flori ishin të veshur në mënyrë mjaft ekstravagante duke iu përshtatur ambientit, Soni ka debutuar në skenë me xhinse, një bluzë fare normale dhe flokët paksa të çrregullta.
Post-fest
Një mbrëmje mjaft e këndshme në të cilën morën pjesë gati të gjithë, ka qenë ajo pas natës finale. U festua deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa këngëtarët kanë qëndruar nën shoqërinë e njëri-tjetrit duke biseduar e qeshur pafund. Por Soni dhe Flori për asnjë moment nuk u panë bashkë. Flori si gjithmonë ka qëndruar shumë pranë Elvanës, ndërsa Soni preferoi të qëndronte me disa mikesha të saj.
Lajmi
Lajmi për ndarjen e dy këngëtarëve, Soni Malaj dhe Flori u mësua dy javë më parë. Burime të afërta me çiftin zbuluan se ata i thanë lamtumirë njëri-tjetrit pak kohë më parë, ndërsa arsyeja nuk bëhet e ditur. As Soni dhe as Flori nuk kanë pranuar të prononcohen rreth këtij fakti, duke dashur në këtë mënyrë të mos preket privatësia e tyre. (Bluetooth)
Shtuar më 26/05/2008, ora 16:27
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori