Ermela nuk i fton miqtë e “BB4” në 25-vjetor
Duket si një histori dashurie, që mund të jetë shumë afër rikthimit nga momenti në moment. Gjithsesi, ata kanë hedhur aq shumë vrer ndaj njëri-tjetrit, sa tingëllon pak e çuditshme një rifillim, por gjithmonë e kanë pohuar që gjithçka mund të pritet nga ata, përderisa janë dy tipa të paparashikueshëm. Fjala është për fituesen e BB4, Ermela Mezuraj dhe Ervin Sinjarin, të cilët nisën një histori dashurie gjatë këtij reality show dhe e vazhduan pas daljes së saj si fituese, një lidhje që u mediatizua shumë.

Megjithatë, për kohën që kanë kaluar bashkë, me sa duket thellë-thellë ruajnë një lloj emocioni që, pavarësisht inateve në momente të caktuara, do të donin ndoshta t’ia shprehnin sërish njëri-tjetrit. Dhe do ishte një moment i duhur, që ndoshta do ta kishin festuar bashkë, pikërisht ditëlindjën e Ermelës, të enjten në mbrëmje, kur ka pasur dhe 25-vjetorin.

Ervini, i cili pas ndarjes u largua direkt drejt Londrës, ka ardhur pikërisht një ditë para ditëlindjes së saj, duke menduar dhe për surprizën speciale, në shenjë mirënjohjeje për lidhjen që kanë pasur. Por Ervini nuk ka mundur dot t’ia japë dhuratën asaj, pasi Ermela nuk ka organizuar party për këtë ditë, ku s’ishte çudi që të merrte ftesë dhe Ervini. Ajo ka preferuar ta kalojë e vetme ditën e saj të veçantë, duke i lënë të gjithë miqtë në pritje të ndonjë ftese surprizë për party, siç kanë bërë ish-banorët e tjerë. Ervini i ka dërguar një SMS urimi Ermelës për ditëlindje, ndërkohë që nuk ka marrë asnjë ftesë nga ajo për t’u mbledhur dhe festuar diku së bashku. Po ashtu, një ftesë nga Ermela nuk e kanë marrë as Torosi, miku i saj më i ngushtë, Jonela apo të tjerë ish-konkurrentë në “Big Brother 4” me të cilët fituesja e “Big Brother 4” vazhdoi miqësinë më tej pas përfundimit të lojës.

Duket se Ermela, e cila shquhet për taktikat me të cilat luajti dhe në reality show, tashmë po ndërton një tjetër strategji për sukses. Ajo ka vendosur të shkëputet nga ish-banorët e BB4, ndërkohë që është fokusuar në projektin e ri të saponisur me tre fituesit e edicioneve të para në BB, Arbrin, Qetsorin dhe Jetmirin. Ata janë gati drejt përfundimit të këngës së tyre të parë së bashku, për të lançuar kështu projektin e tyre./panorama/
Shtuar më 20/08/2011, ora 19:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori