"Enver Hoxha" i Blendi Fevziut rekord shitjesh në Kosovë
E para biografi e Enver Hoxhës bazuar në dokumentet e arkivave personalë dhe në rrëfimet e atyre që e njohën, me autor gazetarin Blendi Fevziu, po thyen rekorde shitjesh edhe në Kosovë. Ndërkohë që në Tiranë libri numëron 5 mijë kopje të shitura vetëm në dy javë, në Prishtinë vetëm në një librari janë shitur 150 kopje.

Sipas së përditshmes “Zëri” në Kosovë, e cila ka pyetur në libraritë kryesore të Prishtinës, libri i gazetarit Blendi Fevziu rezulton të jetë libri më i shitur. Disa nga librashitësit në Prishtinë tregojnë për një interes të madh të lexuesve për librin, “ndonëse çmimi për standardin tonë është mjaft i lartë”, - shprehet përfaqësuesi i librarisë “Artini”.

Libri, i cili ka bërë një bum shitjeje sipas përfaqësuesve të disa prej librarive kryesore të kryeqytetit të Kosovës, është libri i gazetarit Blendi Fevziu për biografinë e Enver Hoxhës, i cili ka thyer rekord shitjeje për një periudhë shumë të shkurtër. “Nuk ka ndodhur që një libër të shitet për dy ditë në 150 kopje, sidomos në tregun tonë kjo është diçka e pakapshme”, - ka thënë përfaqësuesi i librarisë “Artini”, duke shtuar se libri i cili pason pas atij të Fevziut është libri i Helena Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme” dhe libri i Barak Obamës “Ëndrra nga im atë”, raporton gazeta "Mapo". /albeu.com/
Shtuar më 08/11/2011, ora 15:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori