Elvisi: Ja pse dola nga Big Brother
Dy ditë pas largimit nga shtëpia e “Big Brother”, Elvisi ishte i ftuari i emisionit të “Pasdites” në “Top-Channel”, ku rrëfeu përvojën dhe prapaskenat brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.

22-vjeçari, shoqërues i parë i “Mister Shqipërisë 2010” dhe i konsideruar nga banoret e shtëpisë si mashkulli më tërheqës brenda, u prezantua në studio së bashku me të dashurën në jetën reale, Valbonën, ndërsa iu përgjigj vëzhgimeve kritike të gazetarit të “Pasdites”, Flavio Qarrit.

E para mori fjalën Valbona, e cila u shpreh se “e pa Elvisin të njëjtin si jashtë shtëpisë edhe brenda saj”. “Nuk kam qenë xheloze”, deklaroi fillimisht ajo, për të pranuar pak çaste më pas se ishte shqetësuar gjithsesi për marrëdhënien e të dashurit të saj me Arjolën, konkurrenten e eliminuar një javë më parë. “U ndieva në siklet, sepse e pashë që Arjola bënte shumë pas tij, por vetëm kaq”, tha e reja.

I pyetur në lidhje me tërheqjen fizike që femrat brenda “Big Brother” përjetuan ndaj tij, Elvisi u shpreh se: “Aparenca të ndihmon gjithmonë, por unë asnjëherë s’kam dashur që të më vlerësojnë nga mënyra se si dukem. Edhe në shtëpi kam kërkuar që të më vlerësojnë për karakterin dhe personin që jam. Pamja fizike të ndihmon kudo, por pjesa më e rëndësishme është karakteri”.

I pyetur për atë që dha brenda shtëpisë dhe arsyet që e bënë të largohej, i riu gjakovar iu përgjigj vlerësimeve të Qarrit, i cili pak tek ai një “fasadë” të bukur, por pa asgjë të ofruar në brendësi: “Nuk jam përpjekur të luaj atë rol. Kam dashur të ndaj lojën dhe veten. Doja të mendohesha dhe të merrja kohë me qetësi, pa bërë debate javën e fundit. Nominimi më bëri t’i merrja gjërat më seriozisht. Më bëri të isha më i tërhequr me lojën, më i mbyllur dhe kjo më penalizoi. A kam qenë plotësisht vetvetja? Unë jam përpjekur të sillem normalisht, edhe pse është e qartë që njeriu nuk është asnjëherë tërësisht vetvetja, as në jetën e tij të përditshme”. /albeu.com/
Shtuar më 13/03/2012, ora 09:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori