Elvana Gjata ndahet nga i dashuri
Pëlqej
Elvana Gjata
"Jam e dashuruar dhe e lumtur me djalin që kam zgjedhur". E ka deklaruar për herë të parë në gazetën “Panorama” në maj të vitit 2009, ndërkohë që askush nuk guxonte t’ia zinte më gojë jetën e saj private nëpër intervista ku këngëtarja ishte e vendosur që të na fliste vetëm për klipe, albume, koncerte dhe kaq.

Një vajzë e ëmbël por shumë hermetike, Elvana ka ngjallur shumë kuriozitet për jetën private dhe ka pasur raste kur në media është aluduar për djem të ndryshëm të njohur ose jo, si të dashur të mundshëm të këngëtares. Fundja kush mund ta besonte që një vajzë e re, e bukur, e famshme dhe e talentuar si ajo të ishte single. Por kyçja e gojës merr fund diku më shumë se një vit më parë kur këngëtarja e pranon që ishte e dashuruar, duke mos preferuar gjithsesi të japë detaje rreth të zgjedhurit të saj. Mirëpo, nuk kaloi më shumë se dy javë nga ky prononcim dhe paparaci ynë arriti të kapë Elvanën me të dashurin në një vend dhe në një orë që vështirë të të shkojë mendja. Ishte ora 5 e mëngjesit, ku sipas informacioneve tona Elvana do të gjendej në aeroport pasi nisej për një koncert në Gjermani dhe natyrshëm ai që e shoqëronte deri në momentin e nisjes ishte i dashuri i saj, Rogerti. Ishte pikërisht ai djalë për të cilin gazeta “Panorama” kishte shkruar që në vitin 2007, duke zbuluar identitetin e tij, si dhe disa detaje të tjera, fakt ky që e nervozoi jo pak këngëtaren, pasi kishim guxuar të preknim privatësinë e saj.
Është një nga rastet e rralla kur një personazh kaq i njohur si Elvana Gjata me një lidhje gjashtë vjeçare, të mos shfaqej asnjëherë në publik me të dashurin e saj, në lokalet e Bllokut apo në pubet e natës ku zakonisht rrinë kolegët e saj. U deshën këto foto të një viti më parë të cilat po i publikojmë edhe sot, të bëra në pesë të mëngjesit nga tarraca e aeroportit, për t’i dokumentuar ata për herë të parë bashkë. Mbase edhe për herë fundit…
E themi këtë pasi sipas informacioneve të marra nga miq të përbashkët të çiftit, thuhet se ata kanë vetëm disa javë që janë ndarë. Në fakt po të kthehemi pas në kohë për të analizuar se si ka qenë jeta e këtij çifti, gjen detaje pak të çuditshme. Ajo u lidh me Rogert Jasharin rreth gjashtë vite më parë, kohë kur ajo nuk ishte akoma e famshme. Ai në atë kohë ishte 20 vjeç ndërsa ajo 17, pikërisht në kohën kur merrte pjesë tek “Ethet”, program ku këngëtarja u shfaq për herë të parë në një skenë. Miqtë thonë se Rogerti, i cili ka mbaruar studimet për Administrim Biznesi dhe punon në një studio dizajni, pronë e të jatit, është një djalë i ndrojtur dhe mbase nuk ka qenë i përgatitur për të pasur në krah një partnere, e cila fitoi menjëherë një popullaritet aq të madh. Ai dëshironte që jetën në çiftit të mos e kishte të aksesueshme për të tjerët, por ta shijonte i qetë. Mesa duket po këtë mendje ka pasur edhe këngëtarja, e cila sapo filloi të fitojë popullaritet, mendoi si strategji të vetën fokusimin e publikut ekskluzivisht tek këngët e saj, si e vetmja rrugë për t’u bërë e famshme, ndërkohë që koleget e saj bënin namin me histori dashurie nëpër faqe gazetash, të cilat më shpejt mbaronin se fillonin për t’i lënë vendin partnerit të radhës. Imazhi i Elvanës si një vajzë serioze, paçka se merrej me muzikë, ishte ajo çka këngëtarja kërkonte të gdhendte për ditë në mendjet e njerëzve. Temat e dashurisë në intervista ishin tabu për të dhe mesa duket edhe për familjen e saj, për të cilën thuhet që është mjaft konservatore por që gjithsesi kishin dhënë “ok” dhe pëlqimin e tyre për lidhjen e Elvanës me Rogertin, duke e parë si një bashkëshort të ardhshëm shumë të përshtatshëm për vajzën e tyre. Megjithatë miq konfidencialë të tyre rrëfejnë se kjo lidhje nuk ka qenë edhe aq e qetë. Fundjavat në koncerte jashtë Shqipërisë nuk priteshin aq mirë nga Rogerti dhe mesa dimë ne ai as nuk ka preferuar që të jetë prezent në koncertet e saj jashtë. Megjithatë, lidhja ka funksionuar me ulje e ngritjet e saj plot gjashtë vite me radhë dhe më në fund ka ardhur momenti që të dy me qetësi dhe racionalitet kanë kuptuar që mbase mes tyre ka marrë fund gjithçka, që lidhja e ngjizur në moshë shumë të re ishte e destinuar të merrte fund, se arsyet për t’u ndarë ishin më të forta se ato për të qëndruar bashkë.
Pikërisht gjatë javëve të para të ndarjes, Elvana është parë ndoshta nga herët e rralla, në klubet e natës me motrën dhe miqtë e saj, ndërkohë që njerëzit e saj konfidencialë e dinin mirë që Elvana tashmë dilte si beqare. Por ja ku erdhi momenti që këtë të re nga jeta e saj private ta marrin vesh edhe fansat. Kështu pra djema, Elvana është single! Një lajm ky mbase po aq i mirë për ta sa edhe këngët e reja të saj, të cilat nuk vonojnë të bëhen hite.
Shtuar më 06/11/2010, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori