”Kam tre muaj që nuk takoj familjarët”, infermierja tregon rrezikun në Klinikën Infektive

Kjo që shihni në foto është Arbërore Mërlaku, një ndër infermieret, që punon në Klinikën Infektive në QKUK dhe prej tre muajsh nuk e ka takuar familjen e saj.

Ajo ka thënë:

Dua të falënderoj vullnetarët dhe infermierët e klinikave të tjera që janë bashkangjitur për mposhtjen e këtij virusi. I kam marrë të gjitha masat, kam qenë në vetizolim. Që tre muaj nuk e kam takuar familjen që nga shfaqja e rastit të parë me virus në Kosovë, për shkak që kam dashur ta shmangë familjen, farefisin dhe miqtë që të mos përcjellë ndonjë rrezik të mundshëm te ta.

Gjatë fjalës së saj kjo infermiere ka treguar se që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit në Kosovë kanë punuar nga 12 orë. Infermerja është shprehur kështu:

Kemi punuar me orar të rregullt që është 12 orë, për shkak se më shumë orë do të ishte më shumë lodhje për shkak të volumit të madh të punës, më shumë rrezik dhe stres. Kemi vazhduar me orarin e rregullt – 12 orë ditën dhe 12 orë në ndërrimin e natës.

Ndër të tjera Mërlaku ka thënë se profesioni, që ajo ka nuk vlerësohet sa duhet në Kosovë. Më pas ka shtuar:

Profesioni i infermierit është i diskriminuar duke filluar nga nivelizimi i pagave, pastaj jemi të diskriminuar që 20 vjet edhe për koeficientin apo shkollimin që ne e kemi superior apo përvojën e punës.


Shtuar 13.05.2020 11:10