Bulku ngre padi: Nuk kam qenë e dashura e Kadaresë
Rajmonda Bulku
Deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku ka hedhur në gjyq gazetarin Kastriot Myftaraj duke e akuzuar për shpifje. Një javë më parë Myftaraj ka botuar një shkrim ku aludon se Rajmonda Bulku në rininë e saj ka qenë dashnorja e shkrimtarit Ismail Kadare. Burime nga PD pohuan se Bulku ka dorëzuar dje në GJykatën e Shkallës së Parë Tiranë padinë e saj.

Myftaraj e ka shpjeguar pohimin e tij në këtë formë: “Në romanin “E penguara”, të botuar në 2009, Ismail Kadare pohon një tjetër histori dashurie të tij. Në roman rrëfehet një histori e vërtetë, ajo e vajzës së Liri Belishovës (Çomo), Drita Çomo. Vajza e cila gjendej e internuar me nënën në Cërrik, kishte një shoqe të ngushtë në shkollën e mesme, të këtij qyteti, atë që më pas do të bëhej aktorja e njohur Raimonda Bulku. Kjo e fundit e pohoi këtë gjë publikisht edhe me rastin e promovimit të romanit. Drita adhuronte Ismail Kadarenë dhe donte që ta njihte, por nuk mund të shkonte në Tiranë, se nuk mund të lëvizte lirisht. Në ndërkohë, Raimonda Bulku, e cila falë bukurisë së saj kishte filluar që të luante në filma, u njoh dhe u miqësua në Tiranë me Ismail Kadarenë, dhe i foli për shoqen e saj. Në roman, shkrimtari Rudian St. i cili ka shkruar romanin “Dimri i suferinës së madhe”, aluzion i qartë për romanin e Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”, njihet me një vajzë të re, me emrin Migena, e cila posa ka mbaruar shkollën e mesme dhe që kërkon të hyjë në shkollën e arteve në Tiranë. Në këtë kohë Migena bëhet e dashura e shkrimtarit, të cilit i flet për shoqen e saj në provincë, me emrin Linda B. e cila është e internuar. Kur Migena shkon në provincë, shoqja e saj, i kërkon që t’ i tregojë për shkrimtarin dhe dashurinë me të. Qartësisht, pas Migenës qëndron Raimonda Bulku, me të cilën Ismail Kadare u njoh, siç thotë vetë, kur erdhi në Tiranë dhe filloi të luante në filma artistik녔.

Kastriot Myftaraj: “Bulku do të ishte aktorja që do të kishte rolet kryesore femërore praktiktikisht në të gjitha filmat që u bënë sipas librave të Ismail Kadaresë. Në filmin me seri “Emblema e dikurshme”, sipas novelës me të njëjtin titull të Kadaresë. Bulku kishte rolin kryesor femëror, atë të Anës (Ana e përhershme) së dashurës së personazhit kryesor. Ajo pati rolin e Zanës, të një prej personazheve kryesore në filmin “Ballë për ballë”, me skenar sipas romanit të Kadaresë “Dimri i Madh”, pati një rol në filmin “Radiostacioni”, me skenar sipas romanit të Kadaresë “Nëntori i një kryeqyteti”, pati një rol në filmin “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”, një version i ri i “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur”, si dhe pati rolin e Dianës, gruas së shkrimtarit, në filmin “Të paftuarit”, një film sipas romanit të Kadaresë “Prilli i thyer”….” /shekulli/
Shtuar më 08/11/2011, ora 15:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori