Izolimi i shumëfishtë i Kosovës
Albeu.com
Jemi të izoluar më mendjen dhe në politikën tonë. Dhe për më keq, jemi të bindur që nuk jemi keq.

Izolim dhe autizëm.

Nëse me dy fjalë, domosdoshmërisht me vetëm pak fjalë pra, dikush do të përpiqej të përshkruajë politikën e sotme kosovare, këto do të ishin nocionet themelore mbi të cilat hedh shtatë një ngrehinë gjithnjë e më e dëmtuar politike e vendit.

U mbytëm së thëni përditë që jemi Evropë dhe që vendin e kemi në Bashkimin Evropian, por këndejpari, si në asnjë vend tjetër të Evropës, për shembull, pothuaj kush i gjallë nuk merret me tronditjen e madhe ekonomike dhe politike që sa vjen e rritet, me pasoja aspak të lehta për të ardhmen financiare dhe politike të Evropës.

Ne nuk flasim fare për këto dukuri që kanë lëkundur themelet e Evropës. Ne nuk dimë se çfarë mund të ndodhë me Kosovën, në të gjitha aspektet e mundshme, po qe se thellohet kriza më e madhe që prej se ka ndodhë bashkimi i Evropës. Ne mendojmë gabimisht (nëse fare mendojmë për këto tema), që atë thënien shumë të njohur që u mëdysh që prej vitit 2008, ‘tepër i madh për të rënë a për të dështuar’ (e që lidhej me kompanitë e mëdha perëndimore), në rastin e Kosovës mund ta përkthejmë si: ‘tepër e vogël (është Kosova), për të pasur pasoja të mëdha nga këto telashe të Evropës…’. Cinikët do të shtonin këtu që çfarë më keq mund t’i ndodhë Kosovës, pas kësaj qeverisjeje të keqe, Brukselit të hutuar në përballjen e tij me telashet kosovare dhe ato rajonale, pas bindjes mbizotëruese tek qytetarët e Kosovës që do t’ia dalim disi, apo prapë do të shpëtojmë, kur disa herë në njëzet vjetët e fundit shpëtuam.

Izolimi i shumëfishtë i Kosovës shfaqet në shumë mënyra, në ato që janë të dukshme, të ndjeshme dhe emocionale, në ato që nuk vërehen shumë, më në fund, në format që parathonë problemet e reja për Kosovën.

Ato që kanë siguruar një pamje të dritës së diellit (si thuhet), përkojnë me faktin e njohur prej të gjithëve, sepse gati të gjithë neve na prekë, për pamundësinë e udhëtimit kudoqoftë (pos në katër shtete), pa viza. Për këtë shkak, nuk kalon një ditë e vetme kur në politikën kosovare nuk flitet për Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, i cili ka humbë udhë diku në zyrat e Brukselit. Mbërritja e tij do të shënojë fillimin e një procesi i cili kurrsesi nuk do të zgjasë disa muaj, siç gabimisht na thuhet prej qeveritarëve të vendit. Po pakkush këndejpari ka stomak për një tjetër të vërtetë të hidhur. Do të kalojnë së paku edhe disa vjet para se t’ia mësymë Evropës vetëm me pasaporta biometrikë.

Edhe tabloja tjetër e dukshme e izolimit të Kosovës lidhet me këtë të parën: Ajo na dëftohet si paqartësi e madhe sa i përket raporteve formale, kontraktuale midis nesh dhe Evropës. Mund të flasim ditë e natë për këtë çështje, kot së koti, si po duket.

Izolimi ndërkombëtarë i Kosovës prek më së keqi emocionet tona në sport, në muzikë, ku si shtet i ri, nuk po mund të bëjmë gati gjë prej gjëje jashtë: As të luajmë futboll, as të këndojmë në Evrovizion.

Izolimi që nuk po vërehet shumë prej nesh, e që ka dhe do të ketë pasoja largvajtëse për stabilitetin e Kosovës, përkon me raportet e munguara midis investitorëve perëndimorë dhe ekonomisë vendore. Që prej vitit 2008 e këndej, e shkaqet për një teposhtëze të kësisojtë janë të shumta, (natyrisht, ato lidhen edhe pikërisht me krizën e madhe ekonomike dhe financiare të Evropës), kemi një ulje të ndjeshme të investitorëve të huaj në Kosovë. Korrupsioni është pengesa e parë dhe më e madhe, pastaj, ambienti aspak i favorshëm ligjor, politik dhe ekonomik, siguria e paqëndrueshme, falë ngjarjeve të njohura në Veri të Kosovës, të cilat ftohin edhe kompanitë që janë të interesuar për të bërë diçka në këtë tregun kosovar.

Jeni në mes të mesit të një vendnumërimi në zhvillimin ekonomik të vendit, dhe për këtë na flet fare qartë edhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (2013-2015), e miratuar kohë më parë prej Qeverisë së Kosovës. Sivjet do të kemi të hyra prej 1.36 miliardë Eurosh (pak më shumë se sa që ka pasur Shqipëria vjet të hyra nga turizmi, 1.2 miliardë Euro), e në vitin 2015, në variantin më të mirë do të mblidhen 1.5 miliardë Euro. Nuk do të ketë rritje të rrogave në sektorin publik, nuk do të ketë zhvillim të mirëfilltë ekonomik, nuk do të jetohet, thënë fare qartë, më mirë se sa sivjet, ta zëmë. Përkundrazi, ajo mesatarja e jetesës në vend, në dy-tri vjetët e ardhshme do të jetë edhe më e keqe.

Do të shtohet pra interesimi i kosovarëve mesatarë për të shkuar në Perëndim, pikërisht në kohën kur pritet fitimi i të drejtës për të udhëtuar pas viza.

Izolimi që nuk duket fare është pikërisht ky: I pamundësisë që Kosova të vijë në vete si shoqëri, si vend, të jetë kompatibile me Perëndimin, të ketë vlera politike, ekonomike dhe sociale të cilat do ta bëjnë të qëndrueshëm shtetin e Kosovës.

Nuk jemi të interesuar të flasim për këto tema. Këtu jemi autistë të vërtetë politikë, të gatshëm kurdoherë që të zihemi e përleshemi përditë për shumë gjëra të dorës së dytë, në përpjekjen dëshpëruese të ngadhënjejmë ndaj njeri-tjetrit në përplasjet e gjelave, duke i ikur, si prej dreqit (si thuhet), çështjeve madhore të cilat na thonë të vërtetën për atë çfarë jemi sot dhe çfarë do të bëhemi nesër, në të ardhmen e afërme, në fakt.

Jemi të izoluar më mendjen dhe në politikën tonë.

Dhe për më keq, jemi të bindur që nuk jemi keq.
Shtuar më 21/05/2012, ora 12:40
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori