Nuk i shkojnë studentët, Rama i ulëret rektorëve dhe dekanëve
Skandali seksual që po fsheh fenomenin
Pëlqej
Albeu.com
Skandali i bujshëm mbi kërkesën për favore seksuale në shkëmbim të një vendi pune ka hapur një diskutim potencialisht të dobishëm në skenën tonë publike. Them “potencialisht” sepse diskutimi më shumë se sa po merret me fenomenin në përgjithësi, ka ngecur te skandali konkret në veçanti. Kështu, duke u marrë me pemën po injoron pyllin e madh që kemi përballë. Në Shqipëri femra shqiptare përballet me shantazh për favore seksuale në shkëmbim të një vendi pune në pothuajse çdo sferë të jetës; në sektorin e biznesit, të administratës publike, universitetit, politikës apo medias. Ndaj skandali aktual do të duhej të shërbente si një shkas për të hedhur dritë mbi fenomenin në përgjithësi dhe jo thjesht mbi perversitetin e rastit konkret. Fatkeqësisht diçka e tillë nuk po ndodh pasi elita aktuale politiko–mediatike, thellësisht mashkullore, e ka reduktuar rastin në fjalë ose në një çështje thjesht politike, ose në një problem perversiteti individual. Nga njëra anë kemi opozitën dhe një grup gazetarësh që po e trajtojnë rastin në fjalë si një skandal të PS-së në përgjithësi dhe të Koço Kokëdhimës në veçanti. Nga ana tjetër kemi një palë me PS-në në krye që po e trajtojnë skandalin si një çështje të perversitetit individual, që me sa duket nuk ka të bëjë fare me shoqërinë shqiptare. Në këtë kontekst, disa gazetarë e trajtojnë rastin konkret si një patologji pedofilie të një plaku të rrjedhur në një periferi të largët. Të dyja këndvështrimet më shumë e fshehin sesa e ndriçojnë fenomenin e kërkesës për favore seksuale, me të cilin përballen përditë femrat shqiptare. Ideja se shantazhi për favore seksuale në shkëmbim të vendit të punës është një çështje që kufizohet politikisht te PS-ja apo deputeti Kokëdhima është sa e pavërtetë, aq edhe perverse, sepse synon ta përdorë rastin në fjalë për të larë hesape politike. Në vend që të trajtojë fenomenin, kjo qasje përdor traumat e femrave shqiptare për të larë hesapet me kundërshtarin politik brenda apo jashtë partisë. Pa u shqetësuar fare për fatin e qindra apo mijëra femrave që kanë qenë viktima të shantazhit për favore seksuale. Fatkeqësisht nuk kemi të bëjmë me një fenomen të ri. Studiuesja australiane Shannon Woodcock dhe ajo shqiptare Luljeta Ikonomi na kanë treguar qartë se si Enver Hoxha përdorte abuzimin seksual ndaj femrës për të kontrolluar më mirë shoqërinë shqiptare (revista “Përpjekja”, nr 32-33, f. 155-182). Sot produktet e regjimit komunist, si në opozitë edhe në gazetari, nuk tuten për të instrumentalizuar politikisht ngacmimin seksual pa u shqetësuar fare për fatin e femrës në shoqërinë tonë. Për ta problemi i shantazhit për favore seksuale është thjesht një sebep më shumë për të rritur pushtetin dhe influencën personale. Ndërkohë, trajtimi i rastit aktual nga PS-ja dhe një sërë gazetarësh si një perversion seksual i një pedofili në periferi të Shqipërisë, fsheh faktin se kemi të bëjmë me një fenomen të shtrirë si në kohë, ashtu edhe në hapësirë. Që në kohën e komunizmit femra shqiptare, si në kooperativa, ashtu edhe në ndërmarrje, shpesh përballej me kërkesa për favore seksuale nga shefat meshkuj. Abuzimi me pushtetin për të përfituar favore seksuale nuk është një fenomen as i ri dhe as i kufizuar në shoqërinë shqiptare. Fatkeqësisht sot ky fenomen është përkeqësuar dukshëm pasi dominimi i meshkujve në pothuajse çdo sektor shoqëror (politikë, media, biznes, edukim) është shoqëruar edhe me të ashtuquajturin “çlirim seksual”, që më shumë sesa emancipim social të femrës, ka prodhuar çlirimin e orekseve seksualeve të meshkujve në pushtet. Ndërkohë që femra gjithnjë e më tepër reduktohet në një objekt seksual që spërdridhet para kamerave televizive apo zhvishet në reklama e billborde. Ndaj sot më shumë se kurrë femra shqiptare përballet me kërkesa pa fund për favore seksuale në shkëmbim të një vendi pune apo të një promovimi. Ama nuk kemi të bëjmë me një fenomen që ndodh thjesht në ndonjë zyrë deputeti në periferi. Është një fenomen që ndodh përditë në zemër të kryeqytetit; në mediat kryesore që sot denoncojnë skandalin, te bizneset, në administratën publike apo tek institucionet kryesore politike. Kërkesat për favore seksuale nuk vijnë thjesht nga “pensionistë të rrjedhur pedofilë”, por nga shefa shumë të kthjellët politikë, mediatikë, administrativë apo biznesi. Sot përdorimi i postit publik apo privat për të përfituar favore seksuale është diçka që mjaft shefave meshkuj i duket mëse normale. Në këtë kontekst, çështja themelore që duhet shtruar për diskutim pas skandalit në fjalë nuk është thjesht si po e administron pushtetin PS-ja apo sa pushtet duhet të ketë Koço Kokëdhima në PS. Këto janë debate bajate dhe halle të ngushta politike që tregojnë se gazetarët dhe analistët tanë janë po aq të shkëputur nga realiteti shoqëror sa edhe politikanët të cilët kritikojnë. Debati duhet të fokusohet te mënyra se si duhet luftuar fenomeni i kërkimit të favoreve seksuale që çdo ditë traumatizon qindra dhe mijëra femra shqiptare. Më konkretisht, Parlamenti dhe Qeveria duhet të mblidhen dhe të sqarojnë se ku dhe si duhet të denoncojnë femrat që shantazhohen për favore seksuale në shkëmbim të punës apo promovimit? A ekzistojnë institucione apo programe që i mbrojnë femrat nga shantazhe të tilla, apo të gjitha duhet të lëvizin me kamera të fshehta nëpër trup? Gazetarët dhe intelektualët duhet të shtrojnë pyetjen se sa dhe si është përhapur ky fenomen në shoqërinë shqiptare? Sa raste të tjera ekzistojnë, të cilat femrat kanë frikë t’i denoncojnë? Fatkeqësisht, shumë pak prej këtyre pyetjeve janë shtruar për diskutim nga shumë pak gazetarë apo analistë. Shumica e diskutimit fokusohet te faji apo pafajësia e PS-së, e Edi Ramës, apo e Koço Kokëdhimës, a thua se media nuk merret mjaftueshëm me këta individë, duke injoruar një sërë problemesh sociale. Për pasojë, skandali aktual nuk po shërben si një pikënisje për diskutimin e fenomenit të favoreve seksuale, apo si një mundësi që edhe femra të tjera të merrnin guximin për të denoncuar kërkesat për favore seksuale. Përkundrazi, ky skandal po fsheh vetë fenomenin që përfaqëson.
Shtuar më 26/08/2014, ora 12:47
Tage: Panorama
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori