Rama-Meta, fundi i politikës elektorale
Albeu.com
Marrëveshja tronditëse mes Ramës dhe Metës shënon fitoren e politikës koniunkturale mbi atë elektorale. Natyrisht, politika elektorale dhe koniunkturale janë dy kategori analitike, pasi asnjëra nuk ekziston në mënyrë të pastër në realitet. Politika gjithnjë përmban si dimensionin elektoral, edhe atë koniunktural. Megjithatë, këto dy dimensione duhen dalluar për të kuptuar atë që po ndodh sot në skenën tonë politike.
Nëse politika elektorale nënkupton mobilizim dhe rritje të elektoratit për të ardhur në pushtet, politika koniunkturale nënkupton rigrupim të elektoratit ekzistues për të marrë pushtetin. Nëse politika elektorale i drejtohet elektoratit, politika koniunkturale i drejtohet tavolinës. Pra, nëse politika elektorale bazohet te fryma, politika koniunkturale bazohet te matematika. Nëse në politikën elektorale votuesi shikohet si subjekt politik apo si qytetar, në politikën koniunkturale votuesi shikohet si klient. Në këtë aspekt politika koniunkturale është produkt i sistemit tonë klientokratik që e transformon partinë politike në një ndërmarrje private që synon të maksimizojë fitimin e aksionerëve të saj. Aksioneri kryesor është kryetari i partisë dhe me radhë deri tek anëtari më i thjeshtë që merr një dividend në formën e rrogës.
Në skenën politike shqiptare politika koniunkturale tashmë është mishëruar në mënyrën më perfekte te LSI-ja, ndonëse ajo është prezente dhe te të dyja partitë kryesore. Më shumë se një parti politike, LSI është një ndërmarrje private. Qëllimi i saj i vetëm është vjelja e pushtetit dhe përdorimi i tij për të punësuar dhe pasuruar klientelën e saj. LSI nuk synon të shtojë elektoratin për të kapur pushtetin, ajo synon të zgjerojë pushtetin për të kapur elektoratin. Ndaj për LSI-në është e domosdoshme të jetë vazhdimisht në pushtet, të cilin ajo ia shet klientelës së saj. Ndaj çdo LSI-ist i punësuar duhet të sjellë dhjetë apo njëzet votues në shkëmbim të vendit të punës. E thënë shkurt, LSI është një grupim që synon përdorimin e pushtetit publik në funksion të interesave private të anëtarësisë së saj. Kemi të bëjmë pra me një force që është e korruptuar që në ngjizje.
Marrëveshja e fundit mes Ramës dhe Metës e legjitimoi modelin LSI. Ajo shënon fundin e politikës elektorale, pasi pushteti kërkohet në tavolinë dhe jo në elektorat. Është një marrëveshje që synon ta mbyllë fushatën elektorale përpara sesa ajo të fillojë. Pas kësaj marrëveshjeje, as Rama dhe as Meta nuk mund të dalin para elektoratit, pasi thjesht nuk kanë çfarë të thonë. Socialistët e zhgënjyer masivisht nga kjo marrëveshje, Rama synon t’i heshtë me llokmat e pushtetit të ardhshëm.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje PS-ja fillon të ndjekë modelin politik të LSI-së, duke përfunduar transformimin e saj nga një parti elektorale në një parti koniunkturale. Ky është me të vërtetë një eksperiment monumental po të kemi parasysh se PS-ja është partia më e madhe në vend. Për nga rëndësia ai të kujton eksperimentin me ndryshimet kushtetuese në vitin 2008, që fshiu dallimin mes Ekzekutivit dhe Gjygjësorit.
Është herët për të parashikuar pasojat që do të ketë eksperimenti i mësipërm, megjithatë katër pasoja problematike mund t’i dallojmë që tani. Së pari, marrëveshja Rama–Meta shënon thellimin e krizës së përfaqësimit, rritjen e hendekut mes elektoratit dhe klasës politike. Ndaj kjo marrëveshje ka për të forcuar edhe më tej ligjërimin antipolitik që dominon sot sferën publike. Në këtë ligjërim e gjithë problematika shqiptare reduktohet te korruptimi i klasës politike. Në këtë mënyrë evitohet një kritikë e rendit neoliberal që e prodhon këtë klasë politike apo e modelit dhe politikave zhvillimore që Shqipëria ka ndjekur këto njëzet vitet e fundit.
Së dyti, opozita Rama–Meta zhvleftëson tërësisht fushatën elektorale duke eliminuar dallimin pushtet–opozitë. Opozita del nga roli i saj natyror si kritikuese e qeverisë, pasi ajo e ka qeverinë në përbërjen e saj. Qeveria, nga ana tjetër, e ka shumë të vështirë të kritikojë ofertën e opozitës, pasi kjo e fundit ofron një pjesë të mirë të qeverisjes ekzistuese. Për pasojë, marrëveshja Rama-Meta zëvendëson debatin opozitë – qeveri. Të gjitha gjasat janë që fushata elektorale do të përqendrohet tërësisht te kjo marrëveshje.
Së treti, politika koniunkturale nuk premton qeverisje efikase. Marrëveshja Rama–Meta na garanton që, edhe nëse kemi rotacion, shteti përsëri do të trajtohet si plaçkë që do ndahet mes PS dhe LSI. Për sa kohë synimi i vetëm i qeverisjes është të ushqejë klientelën përkatëse, nuk mund të flitet për një qeverisje efektive. Aq më pak mund të flitet për një qeverisje që mendon në terma afatgjatë. E thënë ndryshe, pushteti do të vazhdojë të përdoret për interesa tejet private dhe tejet afatshkurtra, tamam siç bën pushteti aktual sot kur shet pasuri kombëtare si hidrocentralet, bie fjala.
Së fundi, marrëveshja Rama–Meta nuk garanton as stabilitet politik për të ardhmen, pasi ajo eliminon ata faktorë që garantojnë unitetin e një force të madhe politike. Fryma, ideologjia, identiteti apo luajaliteti politik janë elemente të rëndësishme nëpërmjet të cilave partitë elektorale ruajnë unitetin e tyre. Në momentin që kryetari i partisë mendon dhe vepron në mënyrë koniunkturale, diçka të tillë do ta bëjë çdo anëtar partie. Tashmë çdo socialist do të bëjë kalkulimin e vet të ngushtë se cilës klientelë do t’i përkasë, PS-së apo LSI-së. Kjo do të krijojë lëvizje të vazhdueshme të anëtarëve dhe zyrtarëve sa nga njëra parti te tjetra. Eventualisht kjo do të prodhojë një luftë të ashpër mes këtyre dy forcave teksa klientela e PS-së shkon drejt LSI-së dhe anasjelltas.
Përtej problematikës së mësipërme, marrëveshja Rama–Meta ka prodhuar edhe një reagim mjaft pozitiv; revoltën e elektoratit socialist dhe përtej. Është një revoltë që shprehet hapur dhe fuqishëm në rrjetet sociale dhe në internet. Ajo tregon se elektorati shqiptar nuk ka vdekur ende. Publiku shqiptar vazhdon të reagojë, pavarësisht punës së palodhur të medias dhe shumë analistëve për ta mpirë dhe për ta trashur atë; herë duke i thënë se marrëveshja është e keqja më e vogël, herë duke i shpjeguar se politika nuk paska moral, herë duke i thënë të mos jenë naivë dhe se marrëveshja nuk ka pse t’i çudisë.
Pavarësisht opiumit të vazhdueshëm mediatik, elektorati revoltohet dhe me naivitet kërkon shpjegim, arsyetim dhe moral në politikë. Është kjo revoltë, është ky naivitet që të jep shpresë se në politikën shqiptare llogaritë ende nuk mund të bëhen pa popullin. Është ky naivitet që të frymëzon në një sistem që mbahet gjallë nëpërmjet cinizmit. Për një sistem të tillë asgjë nuk është më e rrezikshme se naiviteti, se këmbëngulja për mos t’i thënë derrit dajë.
Shtuar më 06/04/2013, ora 16:43
Tage: Panorama

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori