Një referendum për plehrat!
Albeu.com
Ka kohë që në skenën tonë publike injorohet vendimi i qeverisë për t’i hapur rrugën importit të plehrave. Me përjashtim të gazetës “Shekulli”, që e ka ngritur në vazhdimësi këtë problem, aktorët dhe faktorët e tjerë socialë e injorojnë në mënyrë pothuajse të rregullt këtë çështje. Është një injorim sa shqetësues, aq dhe i habitshëm.

Është e habitshme heshtja në lidhje me çështjen e importit të plehrave kur shikon zhurmën që bëhet për një sërë çështjesh krejt të parëndësishme. Gazetat, televizionet dhe emisionet televizive buçasin në lidhje me dhjetë pikat e Ramës, tri përgjigjet e Berishës dhe dy komentet e Metës. Vazhdojnë të njëjtat debate bajate Rama-Berisha, bëhen pothuajse të njëjtat muhabete në lidhje me Kodin Zgjedhor. Diskutohet gjerë e gjatë Avokati i Popullit dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, a thua se fati i vendit varet nga këto emërime që thjesht ofrojnë ca vende pune më shumë a më pak.

Por, më shumë se i habitshëm, injorimi i çështjes së plehrave është shqetësues. Duhet të jesh krejt i pandjeshëm, mos të trembesh thjesht nga ideja se ne do të importojmë plehra, ndërkohë që nuk po menaxhojmë dot plehrat që prodhojmë vetë. Aq më tepër kur dihen kapacitetet tona administrative për të kontrolluar dhe për t’u korruptuar. Aq më tepër kur plehrat dhe mafia në Jugun e fqinjit tonë perëndimor janë tashmë sinonim. Dhe së fundi, aq më tepër kur pasojat e importit të plehrave mund të jenë katastrofike jo thjesht për ambientin, por edhe për vetë shqiptarët, edhe për brezat që vijnë.

E megjithatë, ndoshta qeveria ka të drejtë, ndoshta ata që ngrenë alarmin e plehrave ia fusin kot. Ama, nëse është vërtet kështu, atëherë ata që janë në pushtet nuk duhet të hezitojnë që një vendim të tillë kaq delikat dhe që prek kaq shumë dhe kaq thellë jetën dhe ambientin tonë, ta hedhin në referendum. Ky është një detyrim minimal, moral i qeverisë sot, po të kemi parasysh sa delikat është vendimi për importimin e plehrave.

Një referendum mbi çështjen e plehrave do të kishte minimalisht tri pasoja pozitive. Së pari, përballë publikut çështja e plehrave do të diskutohej më në detaj dhe në mënyrë më transparente. Së dyti, një vendim kaq i rëndësishëm do të merrej nga vetë elektorati publikisht dhe jo nga disa individë që takohen në mënyrë private, qoftë në shtëpinë e ambasadorit amerikan, italian apo europian.

Së treti, nëpërmjet referendumit shoqëria do të përfshihej në procesin politik, duke dalë nga roli i spektatorit ku tashmë e kanë degdisur partitë politike.
Natyrisht, mirë do të ishte që për referendum në lidhje me këtë çështje kaq delikate të shprehej edhe opozita, madje edhe Presidenti i Republikës, që ka mundësinë ta ndalojë këtë vendim që minimalisht nuk është debatuar mjaftueshëm në publik. Le të shpresojmë që as njëra, opozita, dhe as tjetri, Presidenti, nuk janë shumë të zënë me punët e tyre.
Shtuar më 05/10/2011, ora 10:01
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori