Një lajm i mirë për arsimin e lartë
Pëlqej
Albeu.com
Vendimi i qeverisë “Rama” për t’i hequr licencën një sërë institucionesh problematike të arsimit të lartë publik dhe privat përbën një akt të vërtetë qeverisës. Një nga ato akte që kanë munguar prej kohësh në arsimin e lartë dhe që pak shpresë kishim se do ta shikonim. Është një akt i trefishtë që të jep shpresë se diçka mund të ndryshojë për mirë në të ardhmen. Së pari, një pjesë e mirë e institucioneve që u hiqet licenca (edhe pse jo të gjitha) ishin bërë pjesë e barcoletave kombëtare dhe e skandaleve ndërkombëtare për shitje diplomash pa turp dhe pa kriter. Ndaj mbyllja e tyre përbënte një parakusht minimal për rritjen e cilësisë së edukimit universitar shqiptar në përgjithësi. Ndërkohë që institucionet e arsimit të lartë që u lejuan të vazhdojnë aktivitetin e tyre, si publike edhe private, janë në shumicën e tyre institucione me reputacion pozitiv, pavarësisht urrejtjes që militantët e djathtë, të majtë apo të mesit, mund të kenë për administratorët apo pronarët e tyre. Së dyti, vendimi i qeverisë është një goditje ndaj një sistemi klientelist që mbante në këmbë një sërë pseudoinstitucionesh të arsimit të lartë privat dhe publik. Më shumë se sa çerdhe edukimi këto institucione ishin çerdhe interesash dhe marrëdhëniesh korruptive me shtetin, që nga ryshfeti deri te rroga shtesë për zyrtarët e shtetit, apo diplomat e gatshme për militantët që pasi kishin siguruar vendin e punës, duhej ta justifikonin atë. Për këtë arsye, vendimi i qeverisë për mbylljen e disa prej institucioneve më kanceroze të arsimit të lartë shqiptar shpërbën një konglomerat interesash klienteliste që po degradonte cilësinë e të gjithë sektorit. Së treti, vendimi në fjalë theu kompromisin hipokrit mes shtetit dhe shoqërisë shqiptare, ku njëra palë (qeveria) bënte sikur garantonte cilësinë e arsimit të lartë, ndërsa pala tjetër (shoqëria shqiptare) bënte sikur shkollohej. Në vend të punësimit dhe të ardhurave reale qeveria filloi t’i ofronte shoqërisë diploma universitare dhe status social imagjinar. Ishte një kompromis politikisht i leverdishëm për qeverinë e kaluar, e cila rriste numrin e studentëve në universitete pa rritur financimin përkatës. Fakti që qeveria aktuale e theu këtë kompromis duke mbyllur një sërë filialesh publike dhe disa universitete private, është shpresëdhënës. Është dëshmi e vendosjes së standardeve përpara kalkulimeve politike në sektorin e arsimit të lartë. Është gjithashtu një hap drejt një marrëdhënieje më të ndershme mes shoqërisë dhe shtetit shqiptar në sektorin e arsimit të lartë. Natyrisht që çdo skeptik ka të drejtë të mendojë se secila nga arritjet e mësipërme mund të jetë jetëshkurtër. Në të ardhmen klientela dhe kompromise të reja mund të zëvendësojnë ato të vjetrat. Ama përpara se të kritikojmë problemet që mund të ndodhin nesër, duhet të përshëndesim hapat pozitivë që ndodhin sot. Pikërisht për këtë arsye, qëndrimi agresiv i opozitës aktuale në raport me vendimin e qeverisë “Rama” për të mbyllur disa nga institucionet më problematike të arsimit të lartë shqiptar të lë me gojë hapur. Sidomos po të kemi parasysh përgjegjësitë e Partisë Demokratike në degjenerimin e sistemit universitar shqiptar. Është e trishtë nëse pas humbjes së zgjedhjeve Partia Demokratike të humbasë edhe arsyen.
Shtuar më 13/08/2014, ora 13:26
Tage: Panorama
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori